Certifikatë e Trajnimit të Drejtuesit të Mjetit ADR

You are here

ADR - Certifikatë e Trajnimit të Drejtuesit të Mjetit ADR

Certifikata e Trajnimit Profesional (ADR) shërben për drejtimin e mjeteve qe transportojnë mallrat e rrezikshme, të cilën e përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë mbushur moshën 21 vjeç dhe që kanë një vit që drejtojnë një mjet mbi 3.5 ton (kategoria “C1”).

 

Pajisje për herë të parë me ADR

Trajnimi ka si objektiv kryesor sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve në lidhje me rreziqet  që vijnë nga transporti i materialeve të rrezikshme dhe t'u sigurojë atyre trajnimin thelbësor dhe informacionin bazë. në mënyrë që të minimizohet probabiliteti i një aksidenti ose incidenti që mund të ndodhë, dhe nëse do të ndodhë, për t'i trajnuar këta drejtues mjetesh, në mënyrë që të mund të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e tyre, të palëve të treta dhe mjedisit. 

Pajisja për herë të parë me këtë Certifikatë në DRSHTRR-në që ka në juridiksion vendbanimin e aplikuesit, me këto dokumente me vete:

  • Dokument identifikimi (kandidati duhet të jetë mbi 21 vjeç);
  • Leja e Drejtimit e vlefshme (kategoria C mbi 1 vit);

Tarifat: 

Tarifa e regjistrimit - 500 lekë; 

Tarifa e trajnimit për kursin bazë- 400 lekë/ora (19 orë); 

Tarifa e trajnimit për kursin special (cisterna)- 400 lekë/ora (13 orë); 

Tarifa e trajnimit për kursin special (klasa 1 lëndë shpërthyese)- 400 lekë/ora (8 orë); 

Tarifa e trajnimit për kursin special (klasa 7 lëndë radioaktive)- 400 lekë/ora (8 orë); 

 

Kandidati ka të drejtë të regjistrohet: 

a) Për kursin bazë 

b) Për kurs bazë dhe një nga kurset speciale që dëshiron të ndjekë:

  • me cisterna; 
  • e materialeve dhe objekteve shpërthyese të Klasës 1;
  • e materialeve radioaktive të Klasës 7.

c) Kursin e rifreskimit të njohurive, para përfundimit të afatit të vlefshmërisë së certifikatës së mëparëshme.

Një kandidat nuk mund të aplikojë për dy kurse speciale në të njëjtën kohë.

Për t'u pajisur me certifikatë kandidati duhet të kryejë trajnimin e detyrueshëm dhe testimin e kursit për të cilin ka aplikuar. 

Tarifa e riprovimit është 600 lekë. 

Autorizimi ka vlefshmëri 1 vjeçare me të drejtën për të dhënë provimin 3 herë. 

Tarifa për pajisjen me certifikatë është 3,500 lekë. 

 

Rinovimi i ADR

Certifikata e trajnimit ADR duhet të rinovohet përpara mbarimit të afatit të vlefshmërisë. Certifikata e trajnimit pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë, nuk mund të rinovohet.

Rinovimi i Certifikatës ADR bëhet në DRSHTRR-në që ka në juridiksion vendbanimin e aplikuesit, me këto dokumente me vete: 

  • Dokument identifikimi;
  • Certifikata ADR e vlefshme;
  • Leja e drejtimit e vlefshme;

Aplikanti duhet të marrë pjesë në kursin e kualifikimit për rifreskimin e njohurive bazë dhe speciale, pas të cilit do t’i nënshtrohet provimit përkatës. Autorizimi ka vlefshmëri 1-vjeçare.

Tarifat: 

Tarifa e regjistrimit - 500 lekë; 

Tarifa e trajnimit për kursin rinovim ADR bazë - 400 lekë/ora (10 orë); 

Tarifa e trajnimit për kursin rinovim ADR special (cisterna) - 400 lekë/ora (7 orë).
Për t’u pajisur me Certifikatën e Trajnimit Profesional ADR, të rinovuar, afati i vlefshmërisë të së cilës është për 5 vjet, pasi aplikanti është shpallur fitues në provimin e rinovimit. 

Tarifa e rinovimit të certifikatës: 3,500 Lekë.

 

Zëvendësimi i Certifikatës ADR për humbje vjedhje apo shkatërrim

 Dokumentacioni i nevojshëm për zëvendësimin e Certifikatës ADR si rezultat i dëmtimit, të humbjes ose vjedhjes është:

  • Dokument identifikimi;

  • Certifikata e mëparshme ADR (në rastin e dëmtimit);
  • Leja e drejtimit e vlefshme.

Tarifa për pajisje me dublikatë është 2,000 lekë. 

 


Certifikuar sipas Standardit ISO 9001 nga