Përdoruesit e Makinerive të rënda

You are here

DAP - Dëshmi Aftësie Profesionale për Përdoruesit e Makinerive të Rënda për Punime Ndërtimi, Toke dhe Disiplinimi i Përdorimit të Makinerive të Ndërtimit

Kjo dëshmi provon se personi zotëron njohuri të mjaftueshme teoriko-praktike për përdorimin e makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke, ku hyjnë të gjitha makineritë teknologjike, të cilat janë makina vetëlëvizëse ose që tërhiqen, me rrota ose me zinxhir.

Makineritë e rënda të ndërtimit dhe emërtimet bëhen sipas dëshmive të aftësive profesionale (DAP), të cilat ndahen si më poshtë:

  • Makineri gërmimi e ngarkimi dherash: vetëshkarkues, ngarkues-transportues, ekskavatorë, fadroma, ekskavatorë të kombinuar me pajisje shtesë, lopata ngarkuese (me goma dhe me zinxhirë). Manovratorëve u jepet Dëshmi për Ekskavatoristë (për mjete me goma ose me zinxhirë);
  • Makineri gërmimi, shtyrje, nivelimi e ngjeshje dherash apo shpim toke: buldozerë, traktorë, skreper, greidera (nivelues), rulo vibrues, shtruese asfalto-betoni, sonda shpimi vetëlëvizëse. Manovratorëve u jepet Dëshmi për Buldozeristë (me goma ose me zinxhirë);
  • Makineri ndërtimi mbi bazë automjeti: autovinça, autobetoniere, autobetonpompa, autobitumatrine, autosonda. Manovratorëve u jepet Dëshmi për Automakinist.

Përdoruesit e makinerive të rënda të ndërtimit me rrota gome, përpara se të marrin dëshminë e aftësisë profesionale duhet të jenë pajisur detyrimisht edhe me leje drejtimi automjetesh të lëshuar nga DPSHTRR.

Aplikanti regjistrohet nëpërmjet autoshkollës pranë zyrave të pranimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor që ka në juridiksion vendbanimin e tij. Nëse nuk ka subjekte private që ofrojnë këtë shërbim aplikanti regjistrohet në një DRSHTRR tjetër. 

 

Programi mësimor

Në autoshkollë kryhet programi mësimor i miratuar. Koha e mësimdhënies për kursin teorik duhet të jetë 16 orë total, të cilat do të zhvillohen në 8 ditë me nga 2 orë secila. Kursi praktik zhvillohet çdo ditë pas mësimit teorik me nga 1 orë në ditë (në total 8 orë).

Dokumentacioni:

  • Dokument identifikimi;
  • Fotokopje e lejes së drejtimit me kategorinë përkatëse sipas Dëshmisë;
  • Raporti mjekësor për të vërtetuar aftësitë fizike në punë.

 

Tarifat:

Regjistrimi - 500 lekë, 

Prova e kontrollit të njohurive teorike - 500 lekë

Riprovimi - 600 Lekë.

Pajisja me Dëshminë e Aftësisë Profesionale kushton 3,500 Lekë.

 

 

Rinovimi i Dëshmisë të Aftësisë Profesionale DAP - për përdoruesit e Makinerive të Rënda për Punime Ndërtimi dhe Toke.

 Aplikimi për rinovim të DAP kryhet pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor ku ka vendbanimin aplikanti. Nëse aplikanti e ka vendbanimin në Tiranë, aplikimi bëhet pranë zyrave në ish NSHRAK.

Aplikanti kërkon rinovimin e Dëshmisë kur është plotësuar afati i vlefshmërisë prej 5 vjetësh me nje kërkesë me shkrim të shoqëruar me dëshminë origjinale.

Dokumentacioni

  • Dokument identifikimi;
  • Fotokopje e lejes së drejtimit me kategorinë përkatëse sipas Dëshmisë;
  • Raporti mjekësor për të vërtetuar aftësitë fizike në punë;
  • Fotokopje e DAP (nëse kandidati nuk disponon dëshminë origjinale ose Dëshmia që disponon është dëmtuar);
  • Librezë pune (sipas rasteve të parashikuara në ligj);

Tarifa e shërbimit - 3,500 lekë.

Në rastet e humbjes ose vjedhjes së Dëshmisë, kërkesa bëhet me shkrim me sqarime të hollësishme mbi humbjen e saj. Nëse Dëshmia e humbur nuk është lëshuar nga DPSHTRR, duhet të paraqitet një vërtetim nga institucioni që e ka lëshuar.


Certifikuar sipas Standardit ISO 9001 nga