Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP), është një kualifikim që vërteton aftësimin profesional të përdoruesve të mjeteve rrugore që drejtohen me leje drejtimi të kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Udhëzimi i Ministritrisë së Punëve Publike dhe Transporteve Nr.3606/2, datë 28.10.2011 “Për pajisjen e përdoruesve të mjeteve rrugore të kategorive C1, C1E, C, CE, D1 dhe D1E, D dhe DE, me Certifikatën e Aftësimit Profesional”, i ndryshuar, dhe në plotësim të kërkesave të direktivës BE si dhe rregullave dhe kërkesave e reja që dalin nga zhvillimi i tregut të transportit rrugor të mallrave dhe udhëtarëve.
Kualifikimi (CAP) si pjesë e dokumentacionit të qarkullimit të mjetit është i vlefshëm vetëm për përdorimin e mjeteve të përcaktuara në kategoritë e shënuara të cilat në të gjitha rastet duhet të jenë në përputhje me kategoritë e lejes së drejtimit të mbajtësit të saj.
Në të gjitha rastet, kualifikimi CAP, do të lëshohet nga DPSHTRR-të, në varësi të kërkesës dhe lejes së drejtimit dhe janë dy llojesh;
- CAP për transportin e mallarave, për drejtuesit e mjeteve të destinuara për transporte specifike të mallrave me peshë të maksimale të autorizuar mbi 3.5 ton, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë C1, C1E, C dhe CE
- CAP për transportin e udhëtarëve, për drejtuesit e mjeteve të destinuara apo autorizuara për transportin e udhëtarëve dhe nxënësve të shkollave, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë D1, D1E, D dhe DE
Cilido që zotëron një kualifikim CAP dhe është i pajisur me leje drejtimi të kategorive C1 dhe D1 ose C dhe D, si dhe me ato që pasohen nga shtrirja e tyre, mund të kërkojë të pajiset me të dyja llojet e CAP, pasi të ketë kryer një trajnim periodik të veçantë dhe të jetë shpallur fitues i provimit përkatës teorik.
Nga data 19.08.2025 e në vazhdim kualifikimi CAP për drejtuesit e mjeteve që e kanë këtë të drejtë do të pasqyrohet në kartonin e lejedrejtimit.
Kualifikimi CAP që zotëron drejtuesi i mjetit do të pasqyrohet në krah të kategorisë perkatëse poshtë numrit 12, në anën e pasme të lejes së drejtimit me kodin "95" i shoqëruar me datën e vlefshmërisë që vërteton kualifikimin CAP.
Shënim: Drejtuesit e mjeteve që e kanë një karton sipas modelit CAP të vlefshëm mund ta përdorin deri në përfundimin e datës së vlefshmërisë që vërteton kualifikimin CAP.
Përgatitja e aplikantëve që kërkojnë të pajisen për herë të parë me CAP, kryhet nëpërmjet kurseve te kualifikimit fillestar, në subjektet Autoshkollë të licencuara nga QKB-ja për këtë aktivitet dhe të pajisura me vendim miratues nga DPSHTRR.
Për regjistrimin e aplikantit, autoshkolla paraqet në zyrën e pranimit të DRSHTRR-së dokumentet përkatëse:
- Kërkesë për regjistrim sipas modelit te miratuar;
- Dokument identifikimi (fotokopje);
- Leje drejtimi e vlefshme për kategorinë CAP që kërkon (fotokopje);
- Certifikatë mjekësore për drejtues mjeti e lëshuar jo më herët se 6 muaj nga data e aplikimit (origjinal).
Tarifat e shërbimit
Në momentin e regjistrimit:
- Regjistrimi teorik 1,000 lekë;
- Regjistrimi praktik 1000, lekë;
- Testimi teorik 1,000 lekë;
- Provimi praktik 2,500 lekë.
Pas shpalljes fitues i kualifikimit CAP:
- Pajisje me karton të lejes së drejtimit me kodin "95": 4,500 lekë.
Nga data 13.06.2022, aplikantët të cilët do të kryejnë rinovimin e Kualifikimit CAP, do të mund ta bëjnë direkt në sportelet e Drejtorive Rajonale, pa kryer regjistrim periodik trajnimi dhe pa testim teorik dhe do të pasqyrohet në kartonin e lejedrejtimit, me kodin "95" i shoqëruar me datën e vlefshmërisë që vërteton kualifikimin CAP.
Në zbatim të Udhëzimit Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Nr. 13, datë 02.06.2022 duke filluar nga data 10.06.2022 e në vazhdim përfitojnë të drejtën e rinovimit të Kualifikimit CAP, pa ju nënshtruar kursit dhe provave:
- Drejtuesit e mjeteve që kanë fituar leje drejtimi të kategorisë C para datës 21.10.2015, pavarësisht nëse janë pajisur apo jo me karton CAP;
- Drejtuesit e mjeteve që kanë fituar leje drejtimi të kategorisë C1 ose C pas datës 21.10.2015 dhe kanë fituar Kualifikimit CAP, për Transportin e Mallrave, nëpërmjet kursit dhe provave përkatëse.
Për aplikim pranë Drejtorisë Rajonale kërkohet:
- Dokument identifikimi;
- Leje drejtimi e vlefshme për kategorinë CAP për të cilën kërkohet rinovimi;
- Kartoni i vjetër CAP (kur është i pajisur me karton);
- Certifikatë mjekësore për drejtues mjeti e lëshuar jo më herët se 6 muaj nga data e aplikimit (origjinal).
Tarifa e shërbimit:
- Pajisja me karton të lejes së drejtimit me kodin "95": 4,500 lekë.
Rinovimi i CAP pa kurs dhe pa provim, mund të bëhet vetëm një herë brenda datës 20.10.2025.
Shkarko Pyetësorin CAP Shkarko Listën e Autoshkollave për CAP