Certifikata e Kompetencës Profesionale për Transportin e Udhëtarëve (CKP) është dokument që provon se personi zotëron njohuri të mjaftueshme juridike, tregtare, financiare dhe teknike për drejtues veprimtarie të ndërmarrjes së transportit rrugor për udhëtarë. Drejtues i Veprimtarisë së Ndërmarrjes së Transportit Rrugor është personi fizik i cili drejton efektivisht dhe vazhdimisht veprimtarinë e transportit të ndërmarrjes.
Certifikatat e Kompetencës Profesionale për Transportin Rrugor ndahet në:
- Brenda vendit të udhëtarëve, e cila përfitohet nga kandidatët që kanë mbaruar arsimin e mesëm;
- Ndërkombëtar të udhëtarëve, e cila përfitohet nga kandidatët që kanë mbaruar arsimin e mesëm dhe që vërtetojnë se kanë një eksperiencë pune si administrator ose drejtor (për një periudhë 3-vjeçare, pa ndërprerje) në një ndërmarrje transporti rrugor, si dhe kandidatët që kanë mbaruar studimet e ciklit të parë në arsimin e lartë.
Afati i CKP: 5 vjet
Aplikimi për CKP bëhet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor ku ka vendbanimin aplikanti, me këto dokumente:
- Dokument identifikimi;
- Fotokopje e noterizuar e Diplomës së universitetit, ose Dëftesë Pjekurie e shkollës së mesme;
- Në rastin e arsimit të mesëm, dorëzohet ekstrakti i QKB-së, ku të vërtetohet eksperienca 3 vjeçare si administrator në kompanitë e transportit (për aplikantët që kërkojnë edhe transport ndërkombëtar);
- Fotografi (6 copë) në format 4.2 cm x 3.5 cm.
Tarifat:
- Regjistrimi - 500 lekë
- Tarifa për trajnim - 400 lekë/ora
- Certifikata - 3,600 lekë
Në rast se aplikanti nuk shpallet fitues tarifa për riprovim është 600 lekë.
Në rast se aplikanti përsërit kursin e trajnimit, tarifa e shërbimit është 200 lekë/ora.
Në Tiranë, aplikimi për herë të parë bëhet pranë zyrave në ish-NSHRAK.
DPSHTRR organizon trajnimin e kandidatëve për drejtues veprimtarie të ndërmarrjeve të transportit rrugor, me dy nivele:
- 96 orë mësimi për transport brenda vendit për udhëtarë;
- 120 orë mësimi për transport ndërkombëtar për udhëtarë.
Përkatësisht ndarja në orë mësimi:
- Pjesa teknike 40 orë;
- Pjesa ekonomike 28 orë;
- Pjesa juridike 28 orë;
- Transporti ndërkombëtar 24 orë.
Certifikata e Kompetencës Profesionale ka afat 5-vjeçar dhe aplikimi për rinovim bëhet të paktën 3 muaj para përfundimit të afatit të vlefshmërisë.
Kandidati përjashtohet nga provimi, por jo nga trajnimi. Aplikimi bëhet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor ku ka vendbanimin aplikanti, me këto dokumente:
- Dokument identifikimi;
- Fotokopje e noterizuar e Diplomës së universitetit ose Dëftesë Pjekurie e shkollës së mesme;
- Fotografi (6 copë) në format 4.2 cm x 3.5 cm;
- Ekstrakt i QKB-së (për të vërtetuar se ka ushtruar për 3 vitet e fundit veprimtarinë e tij pa ndërprerje);
- Certifikatat origjinale (CKP).
- Mandat arkëtimi 800 Lekë për çdo certifikatë. Kandidati kryen pagesën prej 800 lekësh për secilën nga certifikatat pasi të ketë ndjekur kursin e trajnimit të reduktuar.
- Pagesa e zhvillimit të kursit të trajnimit, sipas arsimit përkatës dhe eksperiencës në punë që vërtetohet me ekstraktin e QKB-së.
Tarifa për trajnim - 400 lekë/ora
Në Tiranë, aplikimi për rinovimin e CKP bëhet pranë zyrave të DRSHTRR Tiranë në Kashar.
Organizimi i trajnimit për rinovim
DPSHTRR organizon trajnimin e reduktuar për kandidatët që paraqesin kërkesën e tyre për rinovimin e CKP-së. Trajnimi do të kryhet mbi bazë të veprimtarisë që ka ushtruar personi që zotëron CKP-në:
- Mbajtësi i CKP që vërteton që ka ushtruar veprimtarinë e tij pa ndërprerje në 3 vitet e fundit, i nënshtrohet trajnimit të reduktuar prej 24 orësh të ndara si më poshtë:
- Pjesa teknike 7 orë;
- Pjesa ekonomike 6 orë;
- Pjesa juridike 6 orë;
- Transporti ndërkombëtar 5 orë.
- Mbajtësi i CKP që nuk vërteton që ka ushtruar veprimtarinë e tij pa ndërprerje në 3 vitet e fundit, i nënshtrohet trajnimit të reduktuar prej 48 orësh të ndara si më poshtë:
- Pjesa teknike 14 orë;
- Pjesa ekonomike 12 orë;
- Pjesa juridike 12 orë;
- Transporti ndërkombëtar 10 orë.
Në rast dëmtimi - kërkesa duhet të bëhet me shkrim dhe të shoqërohet me certifikatë origjinale.
Në rast humbje ose vjedhje - kërkesa duhet të bëhet me shkrim dhe të përmbajë sqarime të hollësishme mbi humbjen e saj.
Në rast ndryshimi të emrit - kërkesa duhet të bëhet me shkrim dhe të shoqërohet me certifikatën origjinale, si edhe dokument zyrtar që identifikojnë të njëjtin person.
Dokumentacioni i nevojshëm për zëvëndësimin e CKP-së është si më poshtë:
- Dokument identifikimi;
- Certifikata e mëparshme (në rastin e dëmtimit apo të ndryshimit të emrit);
- Vërtetim banimi;
- Fotografi me ngjyra me përmasa 3.5 cm x 4.2 cm sipas numrit të CKP-vë që do zëvëndësojë;
- Mandat arkëtimi 800 Lekë për çdo certifikatë.