Udhëzues për Shitblerjet e Paregjistruara nga Blerësi

You are here

NJOFTIM për të gjithë qytetarët që kanë shitur/blerë mjet dhe nuk kanë bërë ende ndërrimin e pronësisë së mjetit në emër të blerësit!

Për shkak se lëvizja e qytetarëve është kushtëzuar nga situata e javëve të fundit dhe pamundësisë së shumë qytetarëve jashtë Shqipërisë për t’u paraqitur pranë sporteleve tona, DPSHTRR njofton shtyrjen e afatit të aplikimit të gjobës për blerësit nga data 2 Mars 2020 në një afat të dytë të njoftuar publikisht.

Njoftojmë të gjithë qytetarët/subjektet juridike që disponojnë një akt ndryshimi pronësie mjeti (kontratë shitblerje, kontratë dhurimi, dëshmi trashëgimie, etj.) të cilët nuk kanë bërë ndryshimin e pronësisë së mjetit dhe azhurnimin e Lejes së Qarkullimit brenda 10 ditëve nga data e hartimit të aktit të tjetërsimit, t’i drejtohen sporteleve të DPSHTRR-së! Ky shërbim ka nisur të aplikohet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor nga data 15 Janar!

Kujt i drejtohet ky njoftim?

Të gjithë qytetarëve dhe subjekteve juridike të cilët kanë shitur ose blerë një mjet i cili ende figuron në emër të pronarit të vjetër pasi blerësi nuk është paraqitur në sportelet e Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) për ndryshimin e të dhënave të pronësisë dhe azhurnimin e Lejes së Qarkullimit brenda 10 ditëve nga data e hartimit të aktit të tjetërsimit.

Çfarë ndodh në rast se shitësi nuk ka kontakt me blerësin, njëra nga palët ka ndërruar jetë ose ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë?

Nuk është e domosdoshme që në sportel të jetë edhe shitësi edhe blerësi. Procedurën për azhurnimin e të dhënave mund ta kryejë cilido prej tyre, pa praninë e palës tjetër. 

  1. Shitësi mund të paraqitet në sportel me:
  • kontratën e shit-blerjes,
  • kontratën e dhurimit,
  • kontratë shit-blerje me ankand,
  • dëshminë e trashëgimisë,
  • vendim nga Gjykata ose organ tjetër i ngarkuar me ligj,
  • faturë tatimore shitje,
  • çdo mënyrë tjetër të parashikuar në ligj 

të gjitha në origjinal ose kopje të noterizuara të cilat dorëzohen në sportel dhe vijohet me azhurnimin e të dhënave. Tarifa për këtë shërbim është 1 200 Lekë (1 000 Lekë pagesë për shërbimin + 200 Lekë për pajisjen me Vërtetim).

     2. Blerësi duhet të paraqitet në sportel (jo më vonë se 10 ditë nga formulimi i aktit të shit-blerjes) me:

  • kontratën e shit-blerjes,
  • kontratën e dhurimit,
  • kontratë shit-blerje me ankand,
  • dëshminë e trashëgimisë,
  • vendim nga Gjykata ose organ tjetër i ngarkuar me ligj,
  • faturë tatimore shitje,
  • çdo mënyrë tjetër të parashikuar në ligj 

Më pas vijohet me Identifikimin e treguesve teknik të mjetit (kontrollin fizik), azhurnimin e lejes së qarkullimit dhe certifikatës së pronësisë në emër të blerësit. Tarifa për këto shërbime është 4 500 Lekë (Identifikimi i treguesve teknik të Mjetit - 1 500 Lekë; Leje qarkullimi - 1 000 Lekë; Certifikatë Pronësie - 2 000 Lekë).

Çfarë ndodh pas paraqitjes së shitësit në DRSHTRR dhe azhurnimit të të dhënave?

Pas dorëzimit të dokumentacionit provues të aktit të tjetërsimit, specialisti në sportel vijon procedurën për përgatitjen e shkresave zyrtare për njoftimin e:

  • palës blerëse;
  • Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut;
  • Drejtorisë së Policisë Rrugore në DPPSH.
Çfarë detyrimesh mbart shitësi pas ndjekjes së kësaj procedure dhe azhurnimit të të dhënave në sistem?

Pas ndjekjes së kësaj procedure shitësi nuk mbart asnjë detyrim që lind pas datës së shitjes së mjetit e cila është e përcaktuar në një nga format e sipër cituara. Çdo detyrim pas asaj date i takon blerësit i cili është realisht zotëruesi dhe përdoruesi i mjetit i cili qarkullon në rrugë. Tarifa për këtë shërbim është 1 200 Lekë.

Çfarë detyrimesh mbart blerësi nga kalimi i pronësisë?

Blerësi mbart të gjitha detyrimet juridike, civile dhe financiare që lindin nga data e shitjes së mjetit e cila është e përcaktuar në një nga format e sipër cituara.

Çfarë ndodh pas datës 28 Shkurt 2020?

NJOFTIM për të gjithë qytetarët që kanë shitur/blerë mjet dhe nuk kanë bërë ende ndërrimin e pronësisë së mjetit në emër të blerësit! 

Për shkak se lëvizja e qytetarëve është kushtëzuar nga situata e javëve të fundit dhe pamundësisë së shumë qytetarëve jashtë Shqipërisë për t’u paraqitur pranë sporteleve tona, DPSHTRR njofton shtyrjen e afatit të aplikimit të gjobës për blerësit nga data 2 Mars 2020 në një afat të dytë të njoftuar publikisht.


Pas përcaktimit të një afati të dytë, fillon aplikimi i masave administrative gjobë për palën blerëse në zbatim të pikës 3 të Nenit 93 të Kodit Rrugor. Masa administrative varion nga 10 000 - 40 000 Lekë.

Çfarë ndodh nëse është shitur një mjet para shumë vitesh dhe blerësi nuk e ka kthyer pronësinë dhe akt-shitja te noteri ka humbur?

Çdo qytetar ose subjekt mund të kërkojë të pajiset me një kopje të kontratës së shitjes pranë zyrës noteriale ku është lidhur kontrata.

Çfarë ndodh nëse mjeti ndalohet për verifikim nga strukturat kontrolluese të ngarkuara me ligj?

Mjeti rezulton në pronësi të shitësit dhe disponohet nga pala blerëse e cila nuk ka bër azhurnimin e dokumentacionit sipas Nenit 93 dhe Nenit 109 të Kodit Rrugor, ndaj zotëruesi i mjetit ndëshkohet me masë administrative gjobë sipas neneve të lartpërmenduara (bazën ligjore e gjeni të pasqyruar më poshtë).

Mundet një person i tretë të paraqitet në sportel për të kryer procedurat në vend të shitësit ose blerësit?

Çdo person i autorizuar nga shitësi ose blerësi dhe i pajisur me prokurë të posaçme dhe me dokumentacionin e nevojshëm mund të paraqitet në sportel për të ndjekur procedurat.

Si mund të verifikohet nëse blerësi ka kryer procedurat e regjistrimit të ndryshimit të pronësisë pranë DRSHTRR-së përkatëse?

Ju mund të aplikoni në formularin e mëposhtëm për verifikimin e statusit të pronësisë se mjetit. Pas aplikimit qëndroni në pritje të përgjigjes me email ku informoheni nëse është kryer kalimi ose jo në sistem.

Ku duhet të drejtohet qytetari/subjekti?

Çdo qytetar ose subjekt i interesuar për ndjekjen e kësaj procedure duhet të paraqitet në Drejtorinë Rajonale.

Kërkesë për Verifikimin e Statusit të Pronësisë së Mjetit

* Autorizoj institucionin të përpunojë të dhënat e mia personale (emër, mbiemër, numër telefoni, email, etj) të mbledhura më sipër, me qëllim zhvillimin e sondazheve të automatizuara për marrjen e opinionit tim, në lidhje me cilësinë e ofrimit të shërbimit.