Me anë të këtij shërbimi mundësohet aplikimi për pajisje me licencë transporti ndërkombëtar udhëtarësh për të tretë ose me qira.
Aplikimi kryhet në platformën e-Albania.
Subjekti duhet të plotësojë dhe të ngarkojë në platformën e-Albania dokumentet si më poshtë:
- Subjekti i paraqet autoritetit kompetent kërkesën (lidhja 5), e cila duhet të përmbajë:
- llojin e veprimtarisë që kërkohet të kryhet,
- të dhëna për identifikimin e kërkuesit dhe të personit që paraqet kërkesën,
- adresën e plotë të zyrës/ selisë/ filialit për ushtrimin e veprimtarisë,
- regjistrimi në QKB ose ekstrakti i QKB-së, ku në objektin e veprimtarisë të përcaktohet aktiviteti transport ndërkombëtar rrugor i udhëtarëve me autobus,
- Dokumenti që vërteton se subjekti zotëron, të paktën një mjet të përshtatshëm për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, (targën/ targat e mjetit/ mjeteve që do përdoren) të regjistruara në QKB, shoqëruar me NUIS dytësor (certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm),
- plotësimi i kriterit të reputacionit të mirë për subjektin (përfaqësuesin ligjor dhe/ ose pronarin/ pronarët), si dhe për drejtuesin e veprimtarisë, që provohet me plotësimin e formularit të vetëdeklarimit,
- dokument që vërteton zotërimin e CKP-së, për personin që drejton veprimtarinë e transportit që do të licencohet,
- kontrata e punës, akt që provon marrëdhëniet e kërkuara të punës lidhur ndërmjet përfaqësuesit ligjor të subjektit dhe drejtuesit të veprimtarisë, në rastet kur subjekti nuk plotëson kërkesën e kompetencës profesionale,
- dokument i qëndrueshmërisë financiare,
- dokumente që vërtetojnë përmbushjen e kërkesave ligjore në lidhje me standardet dhe sigurinë për mjetet, që janë:
7.1 aktvlerësimi në plotësimin e kushteve të komoditetit të mjeteve në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve sipas aneksit nr. 2, të Udhëzimit nr. 1649, datë 16.8.1999, të ndryshuar,
7.2 policë sigurimi se pronari/ përdoruesi i mjetit të transportit ka lidhur kontratën e sigurimit, sipas ligjit nr. 32/2021, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili në transportin e udhëtarëve përfshin:
i. sigurimin e udhëtarëve nga aksidentet në transportin publik,
ii. sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.
7.3 certifikata e kryerjes së kontrollit teknik të detyrueshëm,
7.4 certifikata e kalibrimit të tahografit,
7.5 certifikatat e aftësimit profesional (CAP), për çdo drejtues mjeti,
7.6 çdo dokument tjetër shoqërues i cili kërkohet sipas legjislacionit të posaçëm sektorial, me kusht që këto dokumente, janë publikuar në regjistrin informativ për kategorinë e licencës, sipas VKM-së nr. 538, datë 26.5.2009, të ndryshuar,
7.7 çdo dokument që subjekti kërkues gjykon se është i dobishëm për shqyrtimin e kërkesës së tij.
Licenca është kusht paraprak për lëshimin e autorizimeve për shërbimet në linjë të rregullt, të rregullt të specializuar si dhe i jep të drejtën subjektit për të ushtruar veprimtari për shërbime të rastit në transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve me autobus.
DPSHTRR-ja e shqyrton aplikimin nëpërmjet QKB-së dhe merr vendim miratimi ose refuzimi.
Licenca gjenerohet me vulë elektronike nga Qëndra Kombëtare e Biznesit.
Afati i vlefshmërisë: Licenca lëshohet pa afat.
Tarifa: 1 euro
Në rast ndryshimi të kushteve të licencës subjekti aplikon në platformën e-Albania, duke paraqitur dokumentacionin provues për ndryshimet e kërkuara.
DPSHTRR-ja shqyrton aplikimin dhe merr vendim miratimi ose refuzimi. Në rast miratimi gjenerohet licenca me vulë elektronike, me të dhënat e reja.
Afati i vlefshmërisë: Licenca lëshohet pa afat.
Tarifa: 1 euro.
BAZA LIGJORE:
- Ligji nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për Transportet Rrugore”, i ndryshuar;
- Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 538, datë 26.05.2009 “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga po ato nëpërmjet QKB dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, i ndryshuar;
- Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 325, datë 19.03.2008, “Për miratimin e rregullave për pranimin në veprimtarinë e operatorit të transportit rrugor të mallrave dhe të udhëtarëve, si dhe njohjen e dokumentave zyrtare, të caktuara për këta operatorë”, i ndryshuar;
- Udhëzimi nr. 8, datë 19.12.2019 “Për kriteret, rregullat dhe dokumentacionin për lëshimin e licencave, autorizimeve dhe certifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin ndërkombëtar rrugor”.