Importi i Mjetit

You are here

Verifiko Kategorinë Mjedisore të Mjetit

Dëshironi të blini një mjet jashtë territorit të Shqipërisë dhe ju nevojitet informacion i saktë mbi kategorinë mjedisore?

DPSHTRR sjell shërbimin për verifikimin e kategorisë mjedisore të mjetit dhe pajisjen e qytetarëve me një dokument provues mbi kategorinë mjedisore të mjetit.

 

Kryhet verifikimi i mjeteve të importuara nga vende dhe me vit prodhimi ose markë si:

  • Vendet e Gjirit Persik (EBA, Kuvajt, Katar, Marok, Oman, Jemen);
  • Koreja;
  • Vendet europiane të cilat nuk janë në BE (vendet aspirante për në BE);
  • Mjetet vit prodhimi 2005 e poshtë;
  • Mjetet të cilat importohen nga USA, Kanadaja, Meksika dhe Japonia me vit prodhimi 2005 e poshtë.

Pagesa për Verifikimin e Kategorisë Mjedisore

Para se të aplikoni online për verifikimin e kategorisë mjedisore, fillimisht duhet të bëni pagesën e tarifës së shërbimit 1,500 lekë (me TVSH). Pagesa mund të kryhet në çdo Drejtori Rajonale (DRSHTRR) ose në bankë.

Kliko këtu për të dhënat e pagesës


Aplikoni Online për Verifikimin e Kategorisë Mjedisore

Pas pagesës, plotësoni aplikimin me të dhënat e kërkuara, si dhe ngarkoni librezën e mjetit (për të saktësuar të dhënat e mjetit si vendi i origjinës, viti i prodhimit, etj.) dhe mandat pagesën. Pas aplikimit, qëndroni në pritje të përgjigjes (dokumentit provues mbi kategorinë mjedisore të mjetit) me e-mail.

Kliko këtu për të plotësuar formularin online

 


Mjetet që lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë

EURO 5 e sipër
  • Autoveturat e reja me 0 km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në shtet tjetër;

  • Mjetet motorike të tjera të reja si: Autobusë dhe Automjete për Transport të Përzier (ATP, ATV, APV) të kategorive M2 dhe N1, me 0 km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në shtet tjetër.

EURO 4 e sipër
  • Autoveturat e përdorura, të gjitha ato që nuk janë me 0 km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër.

EURO 3 e sipër dhe me moshë jo më shumë se 15 vjet
  • Mjetet motorike të tjera të përdorura si: Autobusë dhe Automjete për Transport të Përzier (ATP, ATV, APV) të kategorive M2 dhe N1, të gjitha ato që nuk janë me 0 km dhe që janë regjistruar për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër më parë, të cilat përmbushin normën EURO 3 dhe duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri!

 

KUJDES! Me datë regjistrimi kuptojmë targimin në DPSHTRR! Verifikoni moshën e mjetit! Në datën e regjistrimit (targimit për qarkullim në Shqipëri) mjetet e kësaj kategorie duhet të jenë jo mbi 15 vjet nga data e prodhimit! Shembull: Afati i fundit për regjistrimin dhe targimin e mjeteve me vit prodhimi 2009, është 31 Dhjetori 2024!

Krahas mjeteve që përmbushin kategoritë mjedisore të shpjeguara më lart, importi i mjeteve në Republikën e Shqipërisë lejohet edhe për: 

RETRO - Automjetet e hershme dhe ato me interes historik dhe koleksionimi
  • Automjetet e prodhura deri në dhjetor 1970;
  • Automjetet e prodhuara gjatë viteve 1970-1990.

    Për këtë kategori mjetesh, fillimisht ju duhet të kontrolloni nëse mjeti që dëshironi të importoni është pjesë e Listës Zyrtare të Mjeteve Historike:

    • Nëse mjeti nuk është pjesë e kësaj liste, mjeti nuk do të lejohet të importohet.
    • Nëse mjeti është pjesë e listës, ju mund të vijoni me proçedurat e nevojshme për importin e tij.
    • VINI RE! Prania në Listën Zyrtare të Mjeteve Historike është një kriter i domosdoshëm për importin e një mjeti historik që synon të marrë statusin RETRO.

      Lista e Zhvillimit “Future Classics”, e cila përfshin modele me vjetërsi ndërmjet 20 dhe 29 vjet (të prodhuara midis viteve 1990-2000). Kjo listë do të shërbejë si një udhëzues për ruajtjen e atyre mjeteve që aktualisht qarkullojnë në Shqipëri, si dhe për importin e modeleve që paraqesin vlera potenciale historike, por ende nuk e kanë arritur vjetërsinë për të vijuar me procesin e përfshirjes në Regjistrin e Mjeteve Historike. Procesi i verifikimit për marrjen e statusit RETRO do të vijojë vetëm kur mjeti të plotësojë vjetërsinë e domosdoshme (30 vite). Prania në këtë listë do të jetë kriter i detyrueshëm për vijimin e procesit.

  • Automjetet e prodhuara ndërmjet vitit 1990-2000.

Lejohen të importohen nga subjekte fizike e juridike mjetet motorike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.

 


Mjetet që nuk lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë

Përpara se të importoni një mjet, ju duhet të verifikoni kategorinë mjedisore të tij. Nëse mjeti nuk përmbush kategorinë mjedisore të kërkuar, nuk do të lejohet të importohet në Republikën e Shqipërisë:

  • Për autovetura (mjete të kategorisë M1), mjete të kategorisë M2, mjete të kategorisë N1, me 0 kilometër dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër dhe që nuk përmbushin kategorinë mjedisore të paktën Euro 5 të Bashkimit Evropian;

  • Për autovetura të përdorura, që nuk janë me 0 kilometër dhe që janë të regjistruara më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, që nuk përmbushin kategorinë mjedisore të paktën Euro 4 të Bashkimit Evropian;

  • Për mjete të kategorisë M2; mjete të kategorisë N1, që nuk janë me 0 kilometër dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në shtet tjetër që nuk përmbushin kategorinë mjedisore të paktën Euro 3 të Bashkimit Evropian dhe që janë të prodhuar më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Shembull: Një mjet N1 dhe M2 i prodhuar në 2008 datë të fundit të regjistrimit ka datën 31.12.2023.


Hapat që duhet të ndiqni pas importit të mjetit në Shqipëri

Hapat që duhet të ndiqni pasi të keni importuar mjetin, ndryshojnë në varësi të destinacionit ku mjeti do regjistrohet: në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë. Nëse mjeti i importuar do regjistrohet në Shqipëri, ai do të paraqitet pranë Drejtorive Rajonale të DPSHTRR për të ndjekur procedurat e regjistrimit.

Nëse mjeti i importuar nuk ka targa qarkullimi, ai nuk mund të qarkullojë në rrugë/karrexhatë. Mjetet e patarguara qarkullojnë vetëm me karrotrec, ose me targa provë në rast se është subjekt i licensuar për tregtimin e mjeteve.

Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e regjistruara në një shtet të huaj dhe që i kanë kryer formalitetet doganore, lejohet të qarkullojnë në Shqipëri për një periudhë maksimale njëvjeçare, në bazë të dokumenteve të regjistrimit të shtetit të origjinës dhe lejes ndërkombëtare të qarkullimit. 

Në këtë rast, mjeti do t’i nënshtrohet Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit. Kushtet e përgjithshme të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat janë këto:

  • Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë;
  • Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh;
  • Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore. Dalja e përkohshme në vendet fqinjë nuk shërben për të ri-numëruar/ri – filluar periudhën 6-mujore të lejimit;
  • Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes;
  • Personi që e ka sjellë automjetin në vend, nuk mund të lerë automjetin në Shqipëri në momentin e daljes nga territori i vendit;
  • Automjeti nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë, apo të përdoret për qëllime tregtare.

KUJDES!
  • Kur një automjet është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë NUK deklarohet tek autoritetet doganore shqiptare për të kryer procedurat e tranzitit, ky veprim konsiderohet si “kontrabandë me automjete”;
  • Shkelja e afatit kohor të përdorimit të automjetit të sipërcituar si dhe kushteve të tjera konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas ligjit;
  • Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, p.sh.: për hedhje për qarkullim të lirë, penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara;
  • Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajsh përtej përfundimit të afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara;
  • Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtë – mujore të lejimit të përkohshëm, si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet është nga 50,000 në 200,000 Lekë.
     

Për informacione më të detajuara mbi importin e mjeteve, vizitoni:

Regjistrimi i Mjetit  www.dogana.gov.al

 


Importi i Mjeteve RETRO

  • Je adhurues i mjeteve historike dhe dëshiron të importosh një mjet të vjetër? 
  • Nuk je i sigurt nëse mjeti që dëshironi të importoni plotëson kushtet për t'u bërë pjesë e RETRO? 

Konsultohuni me Listën Zyrtare të Mjeteve Historike për të verifikuar nëse mjeti që dëshironi të importoni plotëson kushtet për të qenë pjesë e koleksionit të mjeteve historike RETRO.

Mjetet e prodhuara përpara vitit 1970, nuk janë përfshirë në Listën e mësipërme, pasi Ligji i garanton disa privilegje automjeteve të hershme dhe atyre me interes koleksionimi. Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 633, datë 26.10.2018, lejohen të importohen:

  • Automjetet e prodhuara deri në Dhjetor 1970;
  • Automjetet e prezantuara si model për prodhim deri më 31 Dhjetor 1970, pavarësisht vitit efektiv të prodhimit;
  • Automjetet që paraqesin vlera teknike, muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

Për më shumë informacion mbi importin e automjeteve të prodhuara përpara vitit 1970, këtu mund të shkarkoni VKM Nr. 633.

Lista e Mjeteve Historike përfshin një listë me mbi 600 modele mjetesh historike të prodhuara ndërmjet viteve 1970-1990, e hartuar nga specialistët e sektorit Retro në DPSHTRR dhe e miratuar nga ekspertët e Komisionit të Vlerësimit. 
Kjo listë përfshin vetëm mjetet që, për shkak të karakteristikave teknike dhe estetike, prestigjit të markës apo modelit, arritjeve sportive apo vlerave të tjera të papërmendura më sipër, mund të konsiderohen si mjete me interes historik dhe të përfshihen në Regjistrin e Mjeteve Historike Shqiptare RETRO. 
Prania në këtë listë është një kriter i domosdoshëm për importin e një mjeti historik që synon të marrë statusin RETRO. Ky kriter, i ndërthurur me faktorë të tjerë të rëndësishëm (përmendim këtu përdorimin e moderuar të mjetit ndër vite, restaurimin apo mirëmbajtjen e vazhdueshme, ruajtjen e origjinalitetit të mjetit, etj.) përbën parakushtin themelor për përfshirjen në Regjistrin e Mjeteve Retro. Shkarko “Lista e Mjeteve Historike (1970-1990)”.

Ka shumë mjete që mund të ruhen, blihen ose importohen për qëllime koleksionimi dhe për pasurimin e motorizimit kombëtar, të cilat ende nuk e kanë arritur vjetërsinë e duhur për t’u përfshirë në Regjistrin e Mjeteve Retro. Por, në Shqipëri qarkullojnë më shumë se 160 mijë mjete me vjetërsi më të madhe se 20 vjet; të mendosh se të gjitha këto mjete kanë një vlerë historike, jo vetëm është pa kuptim, por rrezikon të kompromentojë rëndë seriozitetin e këtij procesi. Pra, duhen dalluar qartë mjetet e vjetra nga mjetet me interes historik. Për këtë arsye është hartuar lista e dytë, ose Lista e Zhvillimit “Future Classics”, e cila përfshin modele me vjetërsi ndërmjet 20 dhe 29 vjet (të prodhuara midis viteve 1990-2000). Kjo listë do të shërbejë si një udhëzues për ruajtjen e atyre mjeteve që aktualisht qarkullojnë në Shqipëri, si dhe për importin e modeleve që paraqesin vlera potenciale historike, por ende nuk e kanë arritur vjetërsinë për të vijuar me procesin e përfshirjes në Regjistrin e Mjeteve Historike. Procesi i verifikimit për marrjen e statusit RETRO do të vijojë vetëm kur mjeti të plotësojë vjetërsinë e domosdoshme (30 vite). Prania në këtë listë do të jetë kriter i detyrueshëm për vijimin e procesit. 
* Informacioni i plotë për këtë kategori do të publikohet së shpejti!
KUJDES: Mos blini apo importoni një mjet pa qenë pjesë e Listës Zyrtare të Mjeteve Historike apo pa marrë një konfirmim të posaçëm nga Komisioni RETRO - DPSHTRR! Prania e një mjeti në këto lista do të jetë kusht i detyrueshëm për importin dhe përfshirjen e tij në Regjistrin e Mjeteve Historike RETRO.

Lista e mjeteve historike përditësohet rregullisht. Grupi i ekspertëve që kanë hartuar listën marrin në shqyrtim të gjitha kërkesat për informim në lidhje me modele që mund të mos jenë përfshirë në këtë listë. Këto kërkesa do të vlerësohen rast pas rasti, duke marrë parasysh informacionet specifike mbi modelin apo dokumentet që lidhen me historikun e një mjeti të veçantë.
Nëse mjeti që dëshironi të regjistroni në Retro nuk bën pjesë në Listën Zyrtare të Mjeteve Historike (pasqyruar në këtë faqe), si listë referencë para Vlerësimit nga Komisioni RETRO pranë DPSHTRR, do duhet të depozitoni një kërkesë dhe të prisni përgjigjen.

Plotësoni Kërkesën për Verifikim


 

Dëshironi të informoheni më shumë mbi mjetet historike RETRO? Vizitoni: www.retro.al


Certifikuar sipas Standardit ISO 9001 nga