Taksa & Detyrime

You are here

Taksa Vjetore e Mjeteve të Përdorura (TVMP)

  • E vlefshme për 365 ditë.
  • Detyrimi për pagesën e TVMP i takon pronarit të mjetit.
  • Para kontrollit teknik të mjetit, TVMP duhet të jetë paguar. Kontrolli tenik i mjeteve rrugore kryhet brenda periudhës së vlefshmërisë 365-ditore të taksës vjetore të mjeteve.
  • Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar do të paguajë një kamatvonesë të barabartë me 0,06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë që nuk është paguar taksa. 

Përllogarit Online Taksën Vjetore të Mjeteve të Përdorura

 

Përjashtohen nga pagesa e Taksës Vjetore të Mjeteve të Përdorura:

  1. Mjetet në pronësi të Ambasadave dhe Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë status diplomatik;
  2. Mjetet e bllokuara me vendim të organeve të drejtësisë;
  3. Mjetet me çregjistrim të përkohshëm;
  4. Autoveturat deri në 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, personat me aftësi të kufizuara, që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale e jo për veprimtari private;
  5. Makinat bujqësore;
  6. Mjetet historike që kanë fituar statusin RETRO sipas kushteve të përcaktuara në www.retro.al;
  7. Mjetet e reja (0-3 vjet).

Me përjashtim nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura kuptohet tarifë shërbimi në shumën 200 lekë me TVSH.

P​ër invalidët e punës, personat e verbër, të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe personat me aftësi të kufizuar, për përjashtimin nga TVMP-ja, për çdo vit përjashtimi bëhet vetëm kur veprimet bëhen në emër të qytetarit me status “invalid” dhe duhet që:
 

  • Dosja e mjetit e qytetarit me status “invalid” dhe dosja e invaliditetit e tij duhet të jenë nën juridiksionin territorial të Drejtorisë Rajonale ku ka vendbanimin qytetari me status “invalid” sipas Regjistrit të Gjendjes Civile.
  • Të jetë i pajisur me librezën e invaliditetit, lëshuar nga Shoqata e Invalidëve ose librezën e paraplegjiku/tetraplegjiku lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, pasi verifikohet vlefshmëria e tyre fotokopjohet dhe mbahet nga strukturat e DPSHTRR-së.
  • Të ketë një nga dokumentet e mëposhtme;
    • Vërtetim të KMCAP-it, i siguruar nga vetë qytetari me status “invalid”, nëpërmjet portalit e-albania;
    • Vërtetimin origjinal të KMCAP-it ose i noterizuar, lëshuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për periudhën përkatëse të invaliditetit
    • Kopje e vendimit të Komisionit të Përcaktimit të Verbërisë lëshuar nga Komisioni Mjekësor i Përcaktimit të Verbërisë KMCAP-it për personat e verbër pasi verifikohet origjinali.
  • Vërtetimin, e siguruar nga vetë qytetari me status “invalid”, nëpërmjet portalit e-albania, që nuk zhvillon aktivitet privat.
  • Dokument identifikimi i personit me status “invalid” që ka në pronësi mjetin”.

 

Pyetje të Shpeshta për Përllogaritjen e Taksës së Mjetit!

 

Në rast se do të regjistroni një mjet për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, taksat e mjetit do të llogariten nga muaji i regjistrimit të mjetit deri në 31 Dhjetor të vitit kur do regjistrohet. Pra, nëse mjeti do regjistrohet në datën 7 Korrik, shuma e taksës do të përllogaritet nga muaji Korrik deri në datën 31 Dhjetor të atij viti. Në vitin pasardhës, taksa do të përllogaritet e plotë për 12 muaj.

Nëse mjetit do i ndryshohet pronësia (shitblerje, dhurim, etj.), mjeti duhet të jetë aktiv në sistem për kryerjen e procedurës dhe i lirë nga detyrimet në DPSHTRR (taksat, kamatvonesat) dhe INTERPOL. Pra, mjeti duhet të ketë taksa të paguara ose të vlefshme për atë vit.

Para se të kryeni shërbimin e kontrollit teknik, mjeti duhet të jetë i lirë nga të gjitha detyrimet në DPSHTRR (taksat, penalitete). Pra, mjeti duhet të ketë taksa të paguara ose të vlefshme për atë vit.

Po, taksat e mjetit janë detyrim vjetor dhe pavarësisht se afatet e vlefshmërisë së Certifikatës së Kontrollit Teknik mund të jenë si në rastin tuaj, 2-vjeçare, ju duhet të shlyeni detyrimin e taksës brenda afatit të përcaktuar të vlefshmërisë së taksës.

    • Çregjistrimi i përkohshëm 

    Në rast se do çregjistroni mjetin përkohësisht, ju duhet të shlyeni të gjitha detyrimet e mjeti në DPSHTRR (taksa, penalitete) në raport me periudhën që mjeti ka qarkulluar, pavarësisht afatit të vlefshmërisë. Pra, nëse mjeti do çregjistrohet në Korrik, taksa do përllogaritet si vlerë nga Janari deri në Korrik. Nëse ju do ta riaktivizoni sërish në sistem mjetin, ju do të paguani nga muaji i rifutjes në qarkullim deri në 31 Dhjetor të atij viti. Pra, nëse mjeti do rifutet në qarkullim në Tetor, taksa do përllogaritet si vlerë nga muaji Tetor deri në 31 Dhjetor.

    Gjatë periudhës që mjeti do qëndrojë i çregjistruar nuk do të ketë taksa vjetore, por vetëm një tarifë shërbimi prej 200 lekësh në vit. DPSHTRR administron dhe ruan dokumentet dhe targat e mjetit pa kosto për një periudhë 5-vjeçare. Pas kësaj periudhe, do të llogaritet një tarifë për ruajtjen dhe arkivimin e dokumentacionit dhe të targave.

    • Çregjistrim i përhershëm

    Në rast se mjeti çregjistrohet në mënyrë të përhershme, zotëruesi i mjetit do të paguajë taksat dhe të gjitha detyrimet e tjera të atij viti në raport me periudhën që mjeti ka qarkulluar. Pra, nëse mjeti do çregjistrohet në Korrik, taksa do përllogaritet si vlerë nga Janari deri në Korrik.
    Për procedurën e plotë të çregjistrimit, vizitoni: www.dpshtrr.gov.al

    Nëse nuk do qarkulloni me mjetin për një kohë të gjatë, ju mund të bëni çregjistrimin e përkohshëm të mjetit duke mos paguar taksa për periudhën kur mjeti rezulton i çregjistruar përkohësisht. Para çregjistrimit të mjetit, ju duhet të keni shlyer të gjitha detyrimet e mjetit. Gjatë periudhës që mjeti do qëndrojë i çregjistruar, nuk llogariten detyrime.

    Vini re! Ju nuk mund të qarkulloni me mjet të çregjistruar (joaktiv në sistem). Dorëzohen targat dhe dokumentet e mjetit për një afat administrimi nga DPSHTRR deri në 5 vjet. Pas këtij afati, do të llogaritet një tarifë për ruajtjen dhe arkivimin e dokumentacionit dhe të targave.

    Nëse mjeti i regjistruar është i ri (vjetërsi: 0-3 vjet), mjeti përjashtohet nga pagesa e taksës. Për këto vite ai do të paguajë vetëm tarifën e shërbimit në shumën prej 200 lekë me TVSH.

     

    Taksa Vjetore e Mjeteve të Luksit (TVML)

    “Automjet luksoz” konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme:

    1. cilindratën e barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
    2. vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5,000,000 lekë. 

    Vlera e mjetit, llogaritet si vlera kur mjeti regjistrohet për herë të parë ose/dhe sa herë ndryshon pronësia e tij. Vlera e mjetit, për efekt të klasifikimit “Automjet Luksoz”, reduktohet çdo vit me 10% të vlerës së mbetur.

    • Detyrimi për pagesën e taksës i takon pronarit të mjetit.
    • Taksa e regjistrimit të automjetit luksoz në masën 70,000 lekë e cila paguhet në momentin e regjistrimit.
    • Pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP).
    • Taksa e përvitshme për mjetet luksoze në masën 21,000 lekë. 
    • Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, do të paguajë një gjobë të barabartë me 0,06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë që nuk është paguar taksa. 
    • Para kontrollit teknik të mjetit, taksat duhet të jetë paguar. Kontrolli tenik i mjeteve rrugore kryhet brenda periudhës së vlefshmërisë 365-ditore të taksës vjetore të mjeteve.

    • Mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimin e reciprocitetit
    • Personat fizikë apo juridikë, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik, përkohësisht vetëm një herë brenda një viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe që dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor targën dhe lejen e qarkullimit, me kusht që të kenë paguar detyrime të prapambetura, nëse kanë; 
    • Pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar, dhe pagesat e taksës së mjeteve të vjedhura, të djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të vërtetuara nga organet e prokurorisë. 
    • Të gjitha detyrimet e prapambetura të taksës së përvitshme dhe të regjistrimit të mjeteve luksoze të sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ose Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit për qëllime përdorimi apo rishitjeje.

     

    Paguaj Taksat Online

     

    Siguracioni i Mjetit & Detyrime të Tjera

    Detyrimi për t’u siguruar 
    Pronari i çdo mjeti rrugor, përpara përdorimit të mjetit, është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi të mjetit pranë shoqërive të sigurimit, si dhe të sigurojë rinovimin e saj për aq kohë sa mjeti do të jetë në qarkullim. 
    Sigurimi i përgjegjësisë së pronarit të mjetit,  për dëme shkaktuar palëve të treta mbulon edhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit prej personave të tjerë, kur këta e përdorin mjetin me miratimin e pronarit. 
    Pronari/përdoruesi i mjetit të transportit gjatë përdorimit të tij është i detyruar të mbajë me vete policën e sigurimit ose ndonjë provë tjetër të lidhjes së kontratës së sigurimit të detyrueshëm, si dhe Raportin Evropian të Aksidenteve, të cilat ju jepen nga Shoqëria e sigurimit.

    Sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorik në sektorin e transportit, i njohur ndryshe si TPL, është sigurimi i përgjegjësisë së pronarit/përdoruesit të mjetit motorik për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti. Sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorik (TPL) është një sigurim i detyrueshëm për të gjithë pronarët e mjeteve motorike.
    Sigurimi TPL mbulon dëmet materiale dhe shëndetësore që mund t'i shkaktohen palëve të treta, si rezultat i përdorimit të mjetit  nga mbajtësit e mjeteve motorike (sipas termave dhe kushteve të policës së sigurimit). 
    Kontrata e sigurimit TPL lidhet për një afat 1 vjeçar dhe duhet të rinovohet çdo vit për aq kohë sa mjeti është në qarkullim.
    Ju duhet të jeni të pajisur me siguracionin e detyrueshëm TPL e ta mbani me vete në mjet pasi ky dokument kontrollohet nga organet e kontrollit në rrugë bashkë me dokumentet e tjera të mjetit dhe të drejtuesit të mjetit, si dhe mjeti nuk mund të kryejë shërbimin e kontrollit teknik nëse nuk është i pajisur me TPL.  Gjithashtu, subjektet nuk mund të pajisen me Targa Provë nëse nuk kanë siguracionin TPL të mjetit.

    Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta (Karton Jeshil) mbulon dëmet materiale dhe shëndetësore që mund t'u shkaktohen palëve të treta, si rezultat i përdorimit të automjeteve me targa shqiptare jashtë territorit të Shqipërisë nga mbajtësit e mjeteve motorike. 
    Kartoni Jeshil është sigurim i detyrueshëm për çdo automjet me targa shqiptare që qarkullon jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

    Sigurimi Kasko është sigurimi i vetë automjetit, i cili mbulon dëmet që mund t’i shkaktohen automjetit nga rreziqe të ndryshme, përveç dëmtimeve në rast të përfshirjes në një aksident.

    • Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit i kalojnë pronarit të ri dhe vlejnë deri në përfundimin e kontratës së sigurimit, përfshirë këtu edhe të drejtat e detyrimet e përcaktuara në nenin 15 të ligjit Nr. 32/2021 “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM NË SEKTORIN E TRANSPORTIT”.
    • Pronari i ri, brenda 15 ditëve kalendarike, detyrohet të njoftojë shoqërinë e sigurimit për ndryshimin e pronësisë së mjetit dhe pasqyrimin e këtij ndryshimi në kontratën e sigurimit

     

    VERIFIKO DETYRIMET E MJETIT

    Shërbimi elektronik “Konfirmim për gjendjen aktive të mjetit" në portalin e-Albania u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të shohin online statusin aktiv të mjetit, si dhe detyrimet apo bllokimet e mjeteve që zotërojnë, dhe të gjenerojnë dokumentin me vulë elektronike me vlefshmëri të plotë ligjore.

    Konfirmim për gjendjen aktive të mjetit