“Targa provë” quhen targat që i vihen nga mbrapa mjeteve në qarkullim provë, për të cilat flitet në pikën 1, të nenit 97 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar.
“Autorizim për qarkullim provë” është dokumenti me të cilin pajisen mjetet që qarkullojnë për prova teknike, eksperimentale, konstruktive ose transferime për arsye shitje e kolaudime.
“Libër lëvizje” është dokumenti në të cilin evidentohet itinerari i lëvizjes, data e lëvizjes dhe të dhënat e mjetit për çdo qarkullim provë.
Aplikim për Targë Provë
Kriteret për pajisjen e subjekteve tregtare me targë provë si dhe sasia e tyre për çdo subjekt
Mund të pajisen dhe përdorin targën PROVË, subjektet tregtare të cilat përmbushin kriteret e mëposhtme:
- Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar të QKB dhe që kanë si objekt të aktivitetit “Blerja, shitja e mjeteve me motor dhe rimorkio”, që janë të pajisur me Licencën me kodin VII.3.B.1/d, të lëshuar nga QKB-ja, dhe që kanë autorizim të vlefshëm nga prodhuesi për mjetet e reja, mund të pajisen dhe përdorin deri në 5 targa provë.
- Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar të QKB, që kanë si objekt të aktivitetit “Blerja, shitja e mjeteve me motor dhe rimorkio”, që janë të pajisur me Licencë, të vlefshme, me kodin VII.3.B.1/d, të lëshuar nga QKB, mund të pajisen dhe përdorin deri në 2 targa provë.
- Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar të QKB, dhe që janë të pajisura me Licencë me të paktën njërin nga kodet VII.3.B.1/a, b, c, të vlefshme, të lëshuar nga QKB, mund të pajisen dhe përdorin vetem 1 targë provë.
- Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar të QKB që kanë si objekt të aktivitetit “Blerja, shitja e mjeteve me motor dhe rimorkio”, të cilat kanë një aplikim të vlefshëm, pranë QKB, për t’u pajisur me Licencë me kodin VII.3.B.1/d, mund të pajisen dhe përdorin vetëm 1 targë provë.
Me aplikimin, për t’u pajisur me Licencë me kodin VII.3.B.1/d pranë QKB, do ti miratohet pajisja me targë provë vetëm një herë.
Kriteret e mësipërme aplikohen dhe kur subjekte tregëtare kërkojnë të pajisen me targë PROVË për motomjete.
Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar me objekt të veprimtarisë shitblerje e mjeteve rrugore, dhe që kanë një adresë të dytë veprimtarie, me juridiksion të ndryshëm nga juridiksioni që mbulon adresën kryesore, pajisen me 1 targë provë për secilën adresë.
Shërbimet që lidhen me targën PROVË
1. Shërbimet, për të cilat kërkohet aplikim në faqen web të DPSHTRR, janë:
- pajisja për herë të parë me targën provë,
- rinovimi i vlefshmërisë së autorizimit dhe librit të lëvizjes për targën provë,
- pajisja me targë të re provë, për arsye të humbjes, vjedhjes ose shkatërrimit të targës së mëparshme,
- pajisja me autorizim dhe libër lëvizje të ri për arsye të humbjes, vjedhjes ose shkatërrimit të atyre të mëparshme.
Në kërkesën nëpërmjet aplikimit në faqen zyrtare të DPSHTRr-së, në “Shërbime Online /Aplikime Online”, plotësohen fushat sipas formës në aplikim dhe ngarkohen sipas rastit, dokumentat e mëposhtëm:
- ekstraktin e regjistrit tregtar, të lëshuar nga QKB,
- licencën me kodin VII.3.B.1/d, të vlefshme, të lëshuar nga QKB dhe autorizim nga prodhuesi i mjeteve, kur kërkon të pajiset deri në 5 targa provë,
- licencën me kodin VII.3.B.1/d, të vlefshme të lëshuar nga QKB, kur kërkon të pajiset deri në 2 targa provë,
- licencën me kodin VII.3.B.1/a, b, c, të vlefshme, të lëshuar nga QKB, kur kërkon të pajiset me 1 targë provë,
- aplikim të vlefshëm, në QKB, për pajisjen me Licencë me kodin VII.3.B.1/d, kur kërkon të pajiset deri në 1 targë provë,
- vërtetimin e denoncimit të lëshuar nga policia e shtetit, në rastet e humbjes, vjedhjes, shkatërrimit të targës ose autorizimit dhe librit të lëvizjes.
Pas Miratimit të kërkesës, administratori i subjektit ose i autorizuari prej tij, paraqiten në drejtorinë rajonale që ka nën juridiksion adresën e subjektit, për të vazhduar me shërbimin për marrjen e targës PROV, autorizimit dhe librit të lëvizjes.
2. Shërbimet, për të cilat nuk kërkohet aplikim fillestar, janë:
- pajisje me libër të ri lëvizjeje për arsye të mbarimit të hapsirave të plotësimit të librit të mëparshëm,
- riprodhim i të njëjtës targë PROV, për arsye të dëmtimit të asaj ekzistuese.
Për këto shërbime, administratori i subjektit ose i autorizuari prej tij, paraqiten në drejtorinë rajonale që ka nën juridiksion adresën e subjektit, për të marrë shërbimin e kërkuar.
KUJDES!
Për subjektet të cilat, përpara datës 25.06.2026, janë pajisur me targë prove në bazë të objektit të aktivitetit “Blerja, shitja e mjeteve me motor dhe rimorkio”, por që nuk disponojnë licencën me kodin VII.3.B.1/d, rinovimi i autorizimit dhe pajisja me libër lëvizjeje, përfshirë rastet e përfundimit të afatit të vlefshmërisë, humbjes, vjedhjes apo shkatërrimit, do të lejohen vetëm një herë, me kusht paraqitjen e një aplikimi të vlefshëm pranë QKB-së për pajisjen me licencën VII.3.B.1/d.
Në rinovimin pasardhës, subjekti duhet të disponojë detyrimisht licencën me kodin VII.3.B.1/d, pasi vetëm aplikimi për pajisje me licencë nuk do të konsiderohet i mjaftueshëm.
Tarifat e shërbimit
Aplikim në Web për targë provë të mjeteve rrugore – 1.000 Lekë.
Autorizim për targë provë të mjeteve rrugore – 2.000 Lekë.
Rinovim i autorizimit për targë provë të mjeteve rrugore – 1.000 Lekë.
Libri i lëvizjes me targë provë të mjeteve rrugore – 2.500 Lekë
Pajisje me targë PROVE për automjet (1 copë) – 2.000 Lekë.
Pajisje me targë PROVE për motomjet (1 copë) – 2.000 Lekë.