Cfarë është shërbimi “Easy Check për Kontrollin Teknik” ?
Shërbimi “Easy Check për Kontrollin Teknik” i ofrohet subjekteve të cilët kanë të regjistruar mjete të cilat përdoren në kantiere pune të stacionuar dhe për shkak të llojit të tyre, përmasave teknike dhe elementëve të ndërtimit të tyre është e pamundur të kryhet kontrolli pranë qendrave të kontrollit teknik, edhe për mos qarkullimin e tyre në rrugë. Mjetet të cilat mund të përfitojnë nga ofrimi i këtij shërbimi duhet të jenë të përfshira në klasifikimin e mjetit si : Mjete Teknologjike, Mjete rrugore të vecanta, Makinë Bujqësore, Mjete Jashtë Norme, Rimorkio bujqësore dhe Rimorkiatorë.
Aplikimi për shërbimin
Kërkesa për marrjen e këtij shërbimi bëhet vetëm në faqen zyrtare zyrtare të institucionit www.dpshtrr.al duke plotësuar formularin përkatës online. Minimumi i kërkuar për plotësim për cdo kërkesë duhet të jetë 1 (një) mjet dhe maksimumi 5 (pesë) mjete për cdo kërkesë (aplikim). Asnjë aplikim i marrë në forma të tjera komunikimi jashtë këtij sistemi online nuk do të konsiderohet. Kujdes në zgjedhjen e shërbimit duke zgjedhur “Easy Check për Kontrollin Teknik” (kolaudimin) dhe jo “Easy Check për Kontrollin Fizik”.
Miratimi i aplikimit
Kryerja e aplikimit nuk nënkupton miratim apo përgjigje të automatizuar ndaj subjekti do të presë përgjigjen e institucionit për miratimin ose jo të kërkesës e cila ka një afat kohor jo më të vogël se 10 (dhjetë) ditë dhe maksimumi 45 (dyzet e pesë) ditë. Ky miratim do të varet nga faktorë si : lloji i mjetit , përmasat fiziko teknike të mjetit që ndikojnë në lëvizjen dhe pozicionimin e tij në qendrën e kontrollit teknik, fluksi i shërbimit në qendër i cili bën të pamundur vënien në dispozicion të stafit në kantier etj.
Në cilat qendra ofrohet ky shërbim?
Shërbimi “Easy Check për Kontrollin Teknik” ofrohet nga gjithë qendrat e kontrollit teknik por këto të fundit nuk mund të kryejnë asnjë faturim apo arkëtim nëse nuk ka një aplikim të kryer dhe njëkohësisht edhe një miratim nga ana e DPSHTRR për secilin mjet.
Tarifa e shërbimit
Në momentin e marrjes së shërbimit subjekti duhet të ketë kryer të gjithë pagesat e detyrimeve përkatëse të taksës vjetore të mjeteve të përdorura, gjobën e kontrollit teknik (nëse ka), gjobën e task forcës (nëse ka) dhe cdo detyrim tjetër të lindur, njësoj si cdo mjet tjetër i regjistrit kombëtar të mjeteve sëbashku me tarifën shtesë prej 1.000 (njëmijë) lekë, për cdo mjet i cili do të marrë shërbimin “Easy Check për Kontrollin Teknik”. Këto pagesa duhet të bëhen brenda ditës së shërbimit.
Orari i shërbimit
Orari për ofrimin e shërbimit për të eleminuar cdo pamundësi lidhur me fluksin e punës në kontrollin teknik, disponibilitetin e sistemeve apo të dhënave shtesë dhe komunikimeve me degë apo drejtori të tjera, është 08:00 deri në 15:00, nga e hëna në të premte, në ditët zyrtare të punës. Subjekti duhet të marrë masa për transportin e trupës inspektuese për dhe nga ambientet ku ndodhen mjetet të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit teknik dhe anasjelltas.
Lëshimi i Certifikatës së Kontrollit Teknik
Pas kryerjes së kontrollit Teknik në ambientet e subjektit, specialistët e kontrollit teknik kryejnë hedhjen e të dhënave në sistemin informatik dhe në përfundim të procedurës, personi i autorizuar nga subjekti për kryerjen e veprimeve paraqitet në sportelin e QKT përkatëse për tërheqjen e certifikatës së kontrollit teknik të mjetit/eve.