Lejedrejtimi me pikë

You are here

Çfarë është lejedrejtimi me pikë

Mbajtësit të lejedrejtimit i jepet, gjithashtu, një sasi prej njëzet pikësh për çdo drejtues mjeti. Kjo sasi pikësh, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve pëson shkurtime (zbritje), në masën e treguar në tabelën e pikëve (link tabela) , në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit. Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje me vendim të komisionit të organit epror të agjentit verifikues.
Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes, mund të zbriten maksimumi deri 15 pikë.
Komunikimi i të dhënave, për zbritjen e pikëve dhe për heqje lejedrejtimi, ndërmjet organeve të policisë dhe DPSHTRR-së, kryhet nëpërmjet rrugëve telematike (elektronike) dhe komunikimit të zakonshëm zyrtar.

Si mund të njihemi me gjendjen e pikëve

Çdo drejtues mjeti mund të kontrollojë në kohë reale gjendjen e pikëve duke telefonuar në numrin +355 68 8015 833 ose me anë të portalit qeveritar e-Albania (kliko këtu).

Humbja e totalit të pikëve

Mbajtësi i lejedrejtimit që ka humbur totalin e pikëve duhet t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit teorik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Rifitimi i pikëve me anë të provimit të kualifikimit është i vlefshëm pas përfundimit të afatit të kohës së pezullimit të lejedrejtimit.
Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk fiton provimin e kualifikimit teorik brenda tridhjetë ditëve nga data kur i lind ky detyrim, organi epror i agjentit verifikues me tu njoftuar nga regjistri kombëtar, procedon për tërheqjen dhe ruajtjen e dokumentit të lejedrejtimit.
Kur mbajtësi i lejedrejtimit fiton provimin e kualifikimit, sasia e pikëve, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar në drejtimin e mjeteve, i shkon në njëzet pikë dhe i kthehet leja e drejtimit e pezulluar.

Bonusi për sjellje të mirë

Nëse mbajtësi i lejedrejtimit, brenda 2 vitesh nuk bën ndonjë nga shkeljet për të cilat është parashikuar zbritje pikësh, atëherë sasia e pikëve rritet me 2 pikë, për çdo 2 vjet, deri në një maksimum prej 30 pikësh.