Pajisja me Lejedrejtimi

You are here

Informacion mbi marrjen e Lejedrejtimit

Autoriteti lëshues i Lejeve të Drejtimit në Republikën e Shqipërisë është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), e cila është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Të gjitha shërbimet për lejedrejtimi kryhen pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) dhe konkretisht në rrethet: Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Dibër, Berat, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Laç, Fier, Shkodër, Kukës, si dhe në pikat e shërbimeve të hapura rishtazi: Lushnje, Burrel, Çorovodë, Gramsh.

Modeli i lejedrejtimit që lëshohet aktualisht në Republikën e Shqipërisë është Modeli IV.2/A nga data 24.01.2017.

I vlefshëm për drejtim mjeti është edhe Modeli IV.2/A, i lëshuar nga 01.07.2005 deri më 23.01.2017.

 

Ky model lejedrejtimi është në përputhje me dispozitat e Aneksit I të Direktivës 2006/126/EC “Mbi lejet e drejtimit”.  

Ngjyra bazë është ngjyra rozë e shoqëruar me blu të lehtë.

Përmasat: ISO /IEC 7810 formati: ID-1  85,60 mm x 53,98 mm.

Karakteristikat fizike të materialit janë sipas standartit ISO 7810 dhe ISO 7816-1: polikarbonat, me jo më pak se 4 (katër) shtresa, me jetëgjatësi jo më pak se 10 (dhjetë) vjet.

 /sites/default/files/images/patenta2.png

Në faqen e pasme të lejedrejtimit gjendet legjenda në gjuhën shqipe dhe angleze, e cila tregon qartësisht si lexohet lejedrejtimi. Në legjendë nuk janë të 12 numrat që tregojnë ku ndodhen të dhënat e lejedrejtimit, por vetëm disa prej tyre. Për informacione më të detajuara më poshtë po specifikojmë të dhënat që i korrespondojnë secilës fushë në lejedrejtimi:

1. Mbiemri
2. Emri
3. Data dhe vendi i lindjes [Si vendlindje tregohet emri i shtetit dhe shenja dalluese e tij, p.sh: SHQIPËRI (ALB)] 
4a. Data e lëshimit
4b. Data e përfundimit të vlefshmërisë
4c. Lëshuar nga
5.  Numri i lejedrejtimit

6. Fotografia
7. Firma
9. Kategoria (të)
10. Data e kualifikimit (Data e lëshimit të çdo kategorie)
11. E vlefshme deri në (Data e përfundimit të vlefshmërisë të çdo kategorie);
12. Kodet [Informacion (e) shtesë/kufizim (e)].

Të dhënat nga numri 1 në numrin 9 tregohen në faqen e përparme të lejedrejtimit (numrat 6, 7 dhe 9 nuk tregohen në legjendë; numri 8 në modelin e mëparshëm, i cili i korrespondonte vendbanimit, në modelin e ri është hequr; vendbanimi nuk shënohet më në lejedrejtimi; të dhënat nga numri 9, të cilin e gjejmë në të dy faqet e lejedrejtimit, deri tek numri 12, gjenden në faqen e pasme të lejedrejtimit.

Në kolonën 12 vertikal shënohen kodet e harmonizuara të BE-së që i përkasin çdo kategorie, ndërsa në fushën 12 horizontal tregohen kodet e harmonizuara që i përkasin mbajtësit të lejedrejtimit, mjetit dhe çështjeve administrative.

/sites/default/files/lejedrejtimi%20modeli%20vjeter%201%20-%20Copy.jpg

Ky model është i vlefshëm deri më 22 Janar 2027.

Ngjyra dominuese është ngjyra rozë.

Përmasat: lartësia 86.0 mm; gjerësia 54.0 mm.

Materiali: plastik, polikarbonat, me jo më pak se 4 (katër) shtresa, me jetëgjatësi 10 (dhjetë) vjet.

Republika e Shqipërisë ka lidhur marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjelltë dhe konvertimin e lejeve të drejtimit (të cilat janë në fuqi) me shtetet si vijon:

  • Italinë;
  • Maqedoninë e Veriut (me kohëzgjatje të papërcaktuar);
  • Kroacinë (e vlefshme deri më 22.12.2020);
  • Malin e Zi (me kohëzgjatje të papërcaktuar);
  • Kosovën (me kohëzgjatje të papërcaktuar). 

Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë në të gjitha shtetet që janë palë e Konventës së Vjenës “Mbi qarkullimin rrugor” e 8 Nëntorit 1968, e amenduar, kur janë të pajisur me lejedrejtimi ndërkombëtare të vlefshme (e cila është në përputhje me modelin e vendosur në Aneksin 7 të konventës)  të shoqëruar me lejedrejtimin kombëtare të vlefshme.

Për informacione më të detajuara mbi shtetet të cilat janë palë e Konventës së Vjenës “Mbi qarkullimin rrugor” e 8 Nëntorit 1968 kliko këtu.

*Për informacione më  të detajuara mbi dokumentin e nevojshëm për drejtim mjeti, që duhet të shoqërojë lejedrejtimin kombëtare, kur udhëtoni në shtete të huaja të cilat nuk aderojnë në Konventën e Vjenës “Mbi  qarkullimin rrugor” e 8 Nëntorit 1968, të amenduar; është i nevojshëm konsultimi me faqen zyrtare të shtetit që do të vizitoni apo me përfaqësinë diplomatike të atij shteti të vendosur në RSH-së.

 


 

KATEGORITË E LEJEDREJTIMIT (PËR GRUPMOSHAT 16-18 VJEÇ)

Mjete me dy rrota (kategoria L1), projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo më shumë se 45 km/orë, cilindrata e të cilave është më e vogël ose e barabartë me 50 cm3, nëse është me djegie të brendshme, ose fuqia nominale e vazhduar e të cilit është më e vogël apo e barabartë me 4kw, për motorët elektrikë;

Mjete me tri rrota (kategoria L2), projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo më shumë se 45 km/orë dhe me motor me cilindratë më të ulët ose të barabartë me 50 cm³, nëse është me ndezje të komanduar, ose fuqia maksimale e të cilit është më e ulët apo e barabartë me 4 kw, për motorët e tjerë me djegie të brendshme, ose fuqia nominale e vazhduar e të cilit është më e vogël ose e barabartë me 4 kw, për motorët elektrikë;

Mjete me katër rrota të lehta (kategoria L6), masa bosh e të cilave është më e ulët ose e barabartë me 350 kg, duke përjashtuar masën e baterive për mjetet elektrike, projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo më shumë se 45 km/orë, me cilindratë të motorit më të ulët ose të barabartë me 50 cm³, për motorët me ndezje të komanduar, ose fuqia maksimale e të cilit është më e ulët apo e barabartë me 4 kw, për motorët e tjerë me djegie të brendshme, ose fuqia nominale e vazhduar e të cilit është më e vogël ose e barabartë me 4 kw, për motorët elektrikë.

Motorë pa kosh (kategoria L3), me cilindratë deri 125 cm3 dhe fuqi maksimale deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1kw/kg;

Motorë me kosh (kategoria L4), me cilindratë deri 125 cm3 dhe fuqi maksimale deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1kw/kg;

Tricikël [motomjete me tri rrota, simetrike ndaj aksit gjatësor (kategoria L5)], me fuqi deri 15kw;

Makina bujqësore dhe komplekset e mjeteve bujqësore që nuk i kalojnë kufijtë e përcaktuar në nenin 53, pika 4 e Kodit Rrugor (gjerësia: 1.6 m, gjatësia: 4m, lartësia   2.5 m, masa maksimale e autorizuar me ngarkesë: 2.5 tonë, shpejtësia: 40 km/orë).

Motorë pa kosh (kategoria L3), me fuqi maksimale deri 35 kw dhe me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg, që nuk rrjedh nga  një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij;

Motorë me kosh (kategoria L4) me fuqi maksimale deri 35 kw dhe me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg, që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij.

Motomjete me katër  rrota, të ndryshëm nga ata të kategorisë AM, masa pa ngarkesë e të cilave është më e vogël ose e barabartë me 400 kg ose 550 kg për mjetet e destinuara për transport mallrash (kategoria L7), përjashtuar masën e baterive për mjetet elektrikë, të cilat fuqinë maksimale neto të motorit e kanë më të ulët ose të barabartë me 15kw;

Mjete të tjera që konsiderohen motomjete me tri rrota simetrike ndaj aksit gjatësor (kategoria L5).

Automjete me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3500 kg dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një gjysmërimorkio që nuk e kalon masën maksimale të autorizuar 750 kg, duke u siguruar që masa maksimale e autorizuar e këtij kombinimi të mos kalojë 4 250 kg.

Motomjete me tri rrota simetrike ndaj aksit gjatësor me fuqi më të madhe se   15 kw (e vlefshme vetëm për territorin kombëtar);

Motomjete të kategorisë A1 me kusht që mbajtësi i lejedrejtimit të jetë të paktën 21 vjeç (e vlefshme vetëm për territorin kombëtar);

Makinat  bujqësore;

Makinat teknologjike;         


 

PAJISJA ME LEJEDREJTIMI (PËR GRUPMOSHAT 16-18 VJEÇ)

 

Mosha minimale

16 vjeç për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë AM

Lejedrejtimi e kategorisë AM merret me anë fitimit të provës së kontrollit të njohurive teorike.


Dokumentacioni dhe tarifat

Për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë AM, personi i interesuar mund të regjistrohet pranë DRSHTRR-së nën juridiksionin e së cilës ka vendbanimin, dhe dorëzon dokumentet:

  • kërkesë për kryerje shërbimi;
  • dokument identifikimi të vlefshëm dhe fotokopjen përkatëse. Karta e identitetit ose pasaporta (për shtetasit e huaj) verifikohet dhe i kthehet qytetarit; Shtetasit e  huaj duhet të dorëzojnë kopjen e noterizuar dhe të përkthyer të pasaportës si dhe kopje të noterizuar të lejeqëndrimit, të vlefshme;
  • 2 (dy) foto me ngjyra, me përmasa 4 x 5 cm, njëra nga të cilat të jetë e nënshkruar nga vetë personi (emër + mbiemër), në pjesën e pasme;
  • certifikatë mjekësore me fotografi, që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor, të kategorisë përkatëse, të lëshuar jo më përpara se gjashtë muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
  • mandat pagesën e pajisjes me “LEJE”, model DD/TAM, për regjistrim dhe për prova teorie. Tarifa e shërbimit është 1000 lekë (500 lekë – regjistrimi dhe 500 lekë – provimi i teorisë);
  • para çdo riprovimi kryhet pagesa e tarifës së shërbimit prej 400 lekë.

DRSHTRR-ja pajis kandidatin me “LEJE”, me afat vlefshmërie 6 muaj nga data e lëshimit. Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova dhe/ose brenda afatit të vlefshmërisë së “LEJE”-s, mund të regjistrohet sërish, vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së “LEJE”-s, kundrejt pagesave përkatëse.


Prova e kontrollit të njohurive teorike

Provimi është i informatizuar (me kompjuter), numri i pyetjeve – 30, koha maksimale – 30 minuta, numri i gabimeve të lejuara – 3.

Për provën e kontrollit të njohurive teorike, pranë komisionit përkatës të marrjes në prova, në DRSHTRR, kandidati duhet të paraqesë:

  • dokument identifikimi (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë);
  • “LEJE”-n, për hyrje në provën e teorisë;
  • dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar, ose fotokopjen e noterizuar të saj (kërkohet vetëm në rastet e hyrjes në prova teorie për herë të parë);

Përjashtohen nga kryerja e kursit të trajnimit për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti rrugor të gjithë personat që kanë kryer studimet e larta në degët mjekësi apo infermieri. Në këto raste kërkohet fotokopje e diplomës e nënshkruar nga urdhri përkatës (urdhri i mjekut dhe urdhri i infermierit);

Shtetasit e huaj kanë të drejtë që në provën e kontrollit të njohurive teorike të  marrin përkthyes të licensuar ose të pajisur me diplomën përkatëse.


Aplikimi për lejedrejtimi

Kandidati fitues i provimit të teorisë, paraqitet pranë sporteleve të shërbimit me qytetarin të Drejtorisë Rajonale dhe dorëzon:

  • kërkesë model dokument,
  • dokument identifikimi të vlefshëm dhe fotokopjen përkatëse. Karta e identitetit ose pasaporta (për shtetasit e huaj) verifikohet dhe i kthehet qytetarit; Leja e qëndrimit duhet të jetë brenda afateve të vlefshmërisë,
  • mandat pagesën prej 3000 lekë për tarifën e pajisjes me lejedrejtimi (taksa e buxhetit të shtetit),
  • mandat pagesën prej 3500 lekë për tarifën e shërbimit për lejedrejtimi,
  • nëse lejedrejtimin e tij do ta tërheqë një person tjetër, plotëson një deklaratë me shkrim ku autorizon personin që do të tërheqë lejedrejtimin si dhe dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi.

Në përfundim, i merret foto dixhitale dhe depozitohet nënshkrimi elektronik (emër + mbiemër), të cilat pasqyrohen në lejedrejtimi.

Lejedrejtimi tërhiqet pranë sporteleve të shërbimit me qytetarin të Drejtorisë Rajonale ku është bërë aplikimi.

Mosha minimale

18 vjeç për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë A1 – A2 – B1 - B

Personi i interesuar për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë A1, A2, B1 ose B drejtohet në një autoshkollë të licencuar për kategorinë e kërkuar dhe regjistrohet për kryerjen e kursit të përgatitjes teorike dhe praktike.


Dokumentacioni dhe tarifat

Regjistrimi i kandidatit për ndjekjen e kursit teorik dhe për provën e kontrollit të njohurive teorike

Përfaqësuesi i autoshkollës paraqitet pranë DRSHTRR-së nën juridiksionin e së cilës ndodhet autoshkolla, plotëson kërkesën për regjistrim, model D/KR, dhe dorëzon dokumentet e kandidatit: 

  • fotokopjen e dokumentit të identifikimit, kartë identiteti dhe për shtetasit e huaj fotokopje pasaporte e përkthyer dhe noterizuar dhe fotokopje leje qëndrimi, të vlefshme, të noterizuar.
  • 2 (dy) foto me ngjyra, me përmasa 4 x 5 cm, njëra nga të cilat të jetë e nënshkruar nga vetë personi (emër + mbiemër), në pjesën e pasme;
  • certifikatë mjekësore me fotografi, që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor, të kategorisë përkatëse, të lëshuar jo më përpara se gjashtë muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
  • mandat pagesën për pajisje me “LEJE”, model DD/T, për regjistrim dhe për prova teorie. Tarifa e shërbimit është 1000 lekë (500 lekë – regjistrimi dhe 500 lekë – provimi i teorisë);
  • fotokopje lejedrejtimi (për rastet kur zotëron lejedrejtimi);
  • Para çdo riprovimi kryhet pagesa e tarifës së shërbimit prej 400 lekë.

DRSHTRR-ja pajis kandidatin me “LEJE”, me afat vlefshmërie 6 muaj nga data e lëshimit. Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova dhe/ose brenda afatit të vlefshmërisë së “LEJE”-s, mund të regjistrohet sërish në autoshkollë por, vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së “LEJE”-s, kundrejt pagesave përkatëse.


Prova e kontrollit të njohurive teorike

Provimi është i informatizuar (me kompjuter), numri i pyetjeve – 40, koha maksimale – 40 minuta, numri i gabimeve të lejuara – 4. 

Kandidati që ka kryer programin e plotë të përgatitjes teorike, për kategorinë e kërkuar, dhe ka plotësuar afatet kohore, nga data e marrjes së Lejes, për provën e kontrollit të njohurive teorike, pranë komisionit përkatës të marrjes në prova, në DRSHTRR duhet të paraqesë:

  • dokument identifikimi (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë),
  • “LEJE”-n, që vërteton kryerjen e kursit të njohurive teorike,
  • dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar ose fotokopjen e noterizuar të saj, të vlefshme (vetëm në rastet e hyrjes në prova teorie për herë të parë).

Përjashtohen nga kryerja e kursit të trajnimit për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti rrugor të gjithë personat që kanë kryer studimet e larta në degët mjekësi apo infermieri. Në këto raste kërkohet fotokopje e diplomës e nënshkruar nga urdhri përkatës (urdhri i mjekut dhe urdhri i infermierit).

Shtetasit e huaj kanë të drejtë që në provën e kontrollit të njohurive teorike të  marrin përkthyes të licensuar ose të pajisur me diplomën përkatëse.


Regjistrimi i kandidatit për ndjekjen e kursit praktik për ushtrim në drejtimin e mjetit për kategorinë e kërkuar dhe për provën e aftësive drejtuese e të sjelljes

Përfaqësuesi i autoshkollës paraqitet pranë DRSHTRR-së, dhe dorëzon dokumentet e kandidatit fitues të provës së kontrollit të njohurive teorike:

  • kërkesën model për regjistrim të kandidatit në praktikë,
  • mandat pagesën për pajisje të kandidatit me “AUTORIZIM” model DD/P për ushtrim në drejtimin e mjetit. Tarifa e shërbimit është 1200 lekë (200 lekë – regjistrimi dhe 1000 lekë – provimi i praktikës).

DRSHTRR pajis kandidatin me “AUTORIZIM” për ushtrim në drejtimin e mjetit, për kategorinë e kërkuar.

Autorizimi lëshohet jo më vonë se 6 muaj nga data e fitimit të provës së teorisë dhe e ka afatin e vlefshmërisë 6 muaj. Brenda këtij afati kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e praktikës, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin.

Në rastet kur humbet vlefshmëria e testimit teorik të fituar, kandidati rifutet në provën e kontrollit të njohurive teorike pa e përsëritur kursin e teorisë, kundrejt pagesave përkatëse.

Para çdo riprovimi kryhet pagesa e tarifës së shërbimit prej 500 lekë.


Prova e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes

Kandidati që ka kryer programin e plotë të ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, dhe ka plotësuar afatet kohore, nga data e marrjes së Autorizimit, për provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe sjelljes, pranë komisionit përkatës të marrjes në prova, në DRSHTRR duhet të paraqesë:

  •  dokument identifikimi (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë);
  • “AUTORIZIM”, që vërteton kryerjen e kursit të ushtrimit të drejtimit të mjetit.

Aplikimi për lejedrejtimi

Kandidati fitues i provës së aftësive drejtuese e të sjelljes paraqitet pranë sporteleve të shërbimit me qytetarin të Drejtorisë Rajonale dhe dorëzon:

  • dokument identifikimi të vlefshëm dhe fotokopjen përkatëse. Karta e identitetit ose pasaporta (për shtetasit e huaj) verifikohet dhe i kthehet qytetarit; Leja e qëndrimit duhet të jetë brenda afateve të vlefshmërisë (për shtetasit e huaj);
  • mandat pagesën e tarifës së pajisjes me lejedrejtimi (taksa e buxhetit të shtetit) prej: 
    - 3000 lekë për A1 ose A2;
    - 4500 lekë për B1 ose B,
  • mandat pagesën prej 3500 lekë për tarifën e shërbimit për lejedrejtimi;
  • nëse lejedrejtimin e tij do ta tërheqë një person tjetër, plotëson një deklaratë me shkrim ku autorizon personin që do të tërheqë lejedrejtimin, si dhe dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi;
  • nëse dëshiron të pajiset me “Kopje përmbledhëse të lejes së drejtimit” dorëzon 1 (një) foto me ngjyra, me përmasa 4 x 5 cm (për rastet kur zotëron lejedrejtimin që zotëron);
  • lejedrejtimin që zotëron (në qoftë se ka).

Në përfundim, i merret foto dixhitale dhe depozitohet nënshkrimi elektronik (emër + mbiemër), të cilat pasqyrohen në lejedrejtimi.  

Lejedrejtimi tërhiqet pranë sporteleve të shërbimit me qytetarin të Drejtorisë Rajonale ku është bërë aplikimi.