Nivelet e Lejuara të Errësimit të Xhamave

You are here

  • Një xham konsiderohet që është i errësuar nëse Tejçueshmëria e Dritës (TD) është më pak se 70%! Me errësim të xhamit kuptojmë përdorimin e materialeve errësuese, por që vlera/niveli i errësimit në përqindje (%) përfshin totalin, së bashku, të xhamit origjinal dhe materialit errësues!
  • Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor të mjetit. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës (TD) në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125 mm.(si në figurë, kliko këtu).


Nivelet e lejuara të errësimit:

  • Për xhamat e përparmë anësorë, të drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit, parashikohet nivel tejçueshmërie drite (TD) jo më pak se 50%! Duhet patur parasysh që errësimi që ka xhami origjinal së bashku me materialin errësues të mos e kalojnë nivelin e 50% errësim! Errësimi i xhamave të përparmë anësor tarifohet me vlerën 20,000 Lekë për të dy xhamat (përveç tarifës prej 2,000 Lekë të Certifikatës së Miratimit për këtë shërbim).
  • Për xhamat e pasmë anësorë dhe xhamin fundor, tejçueshmëria e dritës (TD) mund të jetë nga 10% deri në 70%, me kushtin që të mos cënohet sistemi i shikimit prapa sipas parashikimit të gërmës “f”, të pikës 1, të nenit 72 të Kodit Rrugor.
  • Për autoveturat me xhama origjinalë (jo të veshur me materiale errësuese) parashikohet:
    • Për xhamat e fabrikuar, të errët, përveç xhamave anësorë të përparmë, lejohen të qarkullojnë pa Certifikatë Miratimi!
    • Për xhamat anësorë të përparmë, të errët, duhet të respektohet niveli i tejçueshmërisë së dritës (TD) jo më pak se 50%! Për çdo nivel mbi 30% deri 50% të errët, edhe kur errësimi është origjinal/jo me materiale errësuese mbi xham, autovetura i nënshtrohet Certifikimit/Tarifës që buron nga Udhëzimi Nr.5, dt. 7.10.2019! Zotëruesi i mjetit duhet të paraqitet pranë Drejtorisë Rajonale sipas juridiksionit ku ka banimin për pagesën e tarifës prej 20,000 Lekë dhe pajisjen me certifikatë miratimi e cila kushton 2,000 Lekë.

Kur nuk kërkohet certifikate miratimi:

  • Grilat që janë pjesë konstruktive e autoveturës;
  • Xhama të errët të homologuar nga prodhuesi i xhamave dhe që kanë shenjën e miratimit të tipit KE (përjashtuar rastet e parashikuara më sipër).
  • Xhama jo të errët, të cilëve u është aplikuar material, por nuk e kalojnë nivelin e errësimit prej 30% (TD jo më pak se 70%).

Materialet e ndaluara për errësimin e xhamave

  1. Materiale me ngjyra monokromatike si e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, portokalli, etj;
  2. Materiale që krijojnë efekt reflektues ose pasqyrues;
  3. Materiale që bllokojnë plotësisht shikueshmërinë;
  4. Materiale që krijojnë efekte turbulluese ose shpërqëndruese për shikimin e drejtuesit të mjetit;
  5. Materiale që bëjnë errësimin e xhamave përmes përdorimit të lëndëve spërkatëse.

Tarifat për këtë shërbim

  • Miratimi i errësimit për xhamin fundor, xhamat anësorë të pasëm, xhamat trekëndorë të pasëm të autoveturës - 3,000 Lekë.
  • Miratimi i errësimit për xhamat anësorë të përparmë të autoveturës - 20,000 Lekë.
  • Certifikata e miratimit të errësimit të xhamave të autoveturës - 2,000 Lekë.

! Afati i vlefshmërisë së certifikatës së miratimit është i barazvlefshëm me afatin e garancisë së materialit për errësimin e xhamave. Tarifat për këtë shërbim i shtrijnë efektet deri në përfundim të vlefshmërisë së certifikatës së miratimit.


"DPSHTRR është e certifikuar sipas standardit ISO 9001:2015 për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë nga TÜV Rheinland.

Për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatës klikoni këtu / skanoni kodin QR.”