Siguracioni i Mjetit & Detyrime të Tjera

You are here

Detyrimi për t’u siguruar 
Pronari i çdo mjeti rrugor, përpara përdorimit të mjetit, është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi të mjetit pranë shoqërive të sigurimit, si dhe të sigurojë rinovimin e saj për aq kohë sa mjeti do të jetë në qarkullim. 
Sigurimi i përgjegjësisë së pronarit të mjetit,  për dëme shkaktuar palëve të treta mbulon edhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit prej personave të tjerë, kur këta e përdorin mjetin me miratimin e pronarit. 
Pronari/përdoruesi i mjetit të transportit gjatë përdorimit të tij është i detyruar të mbajë me vete policën e sigurimit ose ndonjë provë tjetër të lidhjes së kontratës së sigurimit të detyrueshëm, si dhe Raportin Evropian të Aksidenteve, të cilat ju jepen nga Shoqëria e sigurimit.


Sigurimi i detyrueshëm i mjetit (TPL)

Sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorik në sektorin e transportit, i njohur ndryshe si TPL, është sigurimi i përgjegjësisë së pronarit/përdoruesit të mjetit motorik për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti. Sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorik (TPL) është një sigurim i detyrueshëm për të gjithë pronarët e mjeteve motorike.
Sigurimi TPL mbulon dëmet materiale dhe shëndetësore që mund t'i shkaktohen palëve të treta, si rezultat i përdorimit të mjetit  nga mbajtësit e mjeteve motorike (sipas termave dhe kushteve të policës së sigurimit). 
Kontrata e sigurimit TPL lidhet për një afat 1 vjeçar dhe duhet të rinovohet çdo vit për aq kohë sa mjeti është në qarkullim.
Ju duhet të jeni të pajisur me siguracionin e detyrueshëm TPL e ta mbani me vete në mjet pasi ky dokument kontrollohet nga organet e kontrollit në rrugë bashkë me dokumentet e tjera të mjetit dhe të drejtuesit të mjetit, si dhe mjeti nuk mund të kryejë shërbimin e kontrollit teknik nëse nuk është i pajisur me TPL.  Gjithashtu, subjektet nuk mund të pajisen me Targa Provë nëse nuk kanë siguracionin TPL të mjetit.


Sigurimi i Automjetit për udhëtime jashtë - Kartoni Jeshil

Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta (Karton Jeshil) mbulon dëmet materiale dhe shëndetësore që mund t'u shkaktohen palëve të treta, si rezultat i përdorimit të automjeteve me targa shqiptare jashtë territorit të Shqipërisë nga mbajtësit e mjeteve motorike. 
Kartoni Jeshil është sigurim i detyrueshëm për çdo automjet me targa shqiptare që qarkullon jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.


Sigurimi Kasko

Sigurimi Kasko është sigurimi i vetë automjetit, i cili mbulon dëmet që mund t’i shkaktohen automjetit nga rreziqe të ndryshme, përveç dëmtimeve në rast të përfshirjes në një aksident.


Nëse mjetit i ndërrohet pronësia (ka pronar të ri), çfarë ndodh me siguracionin e mjetit?

  • Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit i kalojnë pronarit të ri dhe vlejnë deri në përfundimin e kontratës së sigurimit, përfshirë këtu edhe të drejtat e detyrimet e përcaktuara në nenin 15 të ligjit Nr. 32/2021 “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM NË SEKTORIN E TRANSPORTIT”.
  • Pronari i ri, brenda 15 ditëve kalendarike, detyrohet të njoftojë shoqërinë e sigurimit për ndryshimin e pronësisë së mjetit dhe pasqyrimin e këtij ndryshimi në kontratën e sigurimit

"DPSHTRR është e certifikuar sipas standardit ISO 9001:2015 për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë nga TÜV Rheinland.

Për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatës klikoni këtu / skanoni kodin QR.”