Informacion mbi CAP

Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP), është një kualifikim që vërteton aftësimin profesional të përdoruesve të mjeteve rrugore që drejtohen me leje drejtimi të kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Udhëzimi i Ministritrisë së Punëve Publike dhe Transporteve Nr.3606/2, datë 28.10.2011 “Për pajisjen e përdoruesve të mjeteve rrugore të kategorive C1, C1E, C, CE, D1 dhe D1E, D dhe DE, me Certifikatën e Aftësimit Profesional” , i ndryshuar, dhe në plotësim të kërkesave të direktivës BE si dhe rregullave dhe kërkesave e reja që dalin nga zhvillimi i tregut të transportit rrugor të mallrave dhe udhëtarëve.

Kualifikimi (CAP) si pjesë e dokumentacionit të qarkullimit të mjetit, është i vlefshëm vetëm për përdorimin e mjeteve të përcaktuara në kategoritë e shënuara të cilat në të gjitha rastet duhet të jenë në përputhje me kategoritë e lejes së drejtimit të mbajtësit të saj.

Në të gjitha rastet, kualifikimi CAP, do të lëshohet nga DPSHTRR-të, në varësi të kërkesës dhe lejes së drejtimit dhe janë dy llojesh;

a) CAP për transportin e mallrave , për drejtuesit e mjeteve të destinuara për transporte specifike të mallrave me peshë të maksimale të autorizuar mbi 3.5 ton, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë C1, C1E, C dhe CE.

b) CAP për transportin e udhëtarëve , për drejtuesit e mjeteve të destinuara apo autorizuara për transportin e udhëtarëve dhe nxënësve të shkollave, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë D1, D1E, D dhe DE.

Cilido që zotëron një kualifikim CAP dhe është i pajisur me leje drejtimi të kategorive C1 dhe D1 ose C dhe D, si dhe me ato që pasohen nga shtrirja e tyre, mund të kërkojë të pajiset me të dyja llojet e CAP, pasi të ketë kryer një trajnim periodik të veçantë dhe të jetë shpallur fitues i provimit përkatës teorik. Nga data 19.08.2025 e në vazhdim kualifikimi CAP për drejtuesit e mjeteve që e kanë këtë të drejtë do të pasqyrohet në kartonin e lejedrejtimit.

Kualifikimi CAP që zotëron drejtuesi i mjetit do të pasqyrohet në krah të kategorisë perkatëse poshtë numrit 12, në anën e pasme të lejes së drejtimit me kodin "95" i shoqëruar me datën e vlefshmërisë që vërteton kualifikimin CAP.
Shënim: Drejtuesit e mjeteve që e kanë një karton sipas modelit CAP të vlefshëm mund ta përdorin deri në përfundimin e datës së vlefshmërisë që vërteton kualifikimin CAP.


"DPSHTRR është e certifikuar sipas standardit ISO 9001:2015 për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë nga TÜV Rheinland.

Për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatës klikoni këtu / skanoni kodin QR.”