Kushtet dhe kriteret për hapjen e një autoshkolle
Informohu për kushtet teknike dhe profesionale për fillimin e veprimtarisë së një autoshkolle, pajisjen me Vendim
Miratues nga DPSHTRR, si dhe raportin e numrit të popullsisë për hapjen e autoshkollave në nivel qarku sipas të
dhënave të INSTAT.
Për fillimin e veprimtarisë së një autoshkolle për herë të parë, subjekti duhet të pajiset me Vendim Miratues nga
DPSHTRR, pasi të jetë pajisur më parë me licencën VII.3.A.1 “Autoshkollë” nga QKB.
Kushti për hapjen e autoshkollës
Vendimi miratues jepet vetëm nëse respektohet raporti i numrit të popullsisë për një autoshkollë në nivel qarku, sipas
të dhënave zyrtare të INSTAT:
- Qarqe me mbi 500,000 banorë → 1 autoshkollë për çdo 15,000 banorë
- Qarqe 200,000 – 500,000 banorë → 1 autoshkollë për çdo 12,000 banorë
- Qarqe 100,000 – 200,000 banorë → 1 autoshkollë për çdo 10,000 banorë
- Qarqe me më pak se 100,000 banorë → 1 autoshkollë për çdo 8,000 banorë
Dokumentacioni për hapjen e një autoshkolle
Informohu për dokumentacionin që duhet të paraqesë subjekti pranë DRSHTRR-së për hapjen e një autoshkolle, përfshirë
licencën përkatëse, dokumentet e ambientit, personelin e kualifikuar dhe mjetet e përdorura për përgatitjen teorike
dhe praktike të kandidatëve.
Subjekti i interesuar paraqet pranë DRSHTRR-së ku do të ushtrojë aktivitetin, kërkesën për hapjen e autoshkollës dhe
dokumentet:
- Licencën VII.3.A.1 “Autoshkollë” dhe ekstraktin historik të QKB
- Dokument identifikimi të administratorit të licencës
- Dokumentet e pronësisë ose kontratën e qirasë për ambientin e autoshkollës dhe planimetrinë e klasës
- Kontratën e punës dhe DAP për mësuesin e teorisë (drejtuesin teknik)
- Kontratën e punës dhe DAP për instruktorët e praktikës
- Lejet e drejtimit të instruktorëve të praktikës
- Rregulloren e funksionimit të autoshkollës
- Dokumentet e mjeteve në pronësi të subjektit (leje qarkullimi, siguracion, kontroll teknik)
- Deklaratën e titullarit që autoshkolla disponon ambientet, pajisjet didaktike dhe regjistrat përkatës
Autoshkolla duhet të ketë të paktën një mësues teorie dhe një instruktor praktike.
Verifikimi dhe lëshimi i Vendimit Miratues për Licencën VII.3.A.1 (Autoshkollë)
Informohu për procedurën e verifikimit të kritereve teknike dhe profesionale të autoshkollës nga DPSHTRR, si dhe për
procesin e lëshimit të Vendimit Miratues për fillimin e veprimtarisë.
Pas dorëzimit të dokumentacionit:
- DRSHTRR verifikon dokumentacionin dhe e përcjell atë në DPSHTRR.
- DPSHTRR shqyrton dokumentet dhe, nëse plotësohen kushtet, organizon verifikimin në ambientet e autoshkollës.
-
Verifikimi kryhet nga një komision i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të DPSHTRR-së, brenda 30 ditëve
nga paraqitja e kërkesës.
- Në përfundim të verifikimit vendoset lëshimi ose refuzimi i Vendimit Miratues.
Vendimi Miratues dërgohet në DRSHTRR, ku një kopje i jepet subjektit dhe një kopje administrohet në dosjen e
autoshkollës.
Regjistrimi i autoshkollës
Informohu për procedurën e regjistrimit të autoshkollës në sistemin informatik të DPSHTRR-së, si dhe për regjistrimin
e personelit dhe mjeteve për t’u përdorur në procesin e përgatitjes teorike dhe praktike dhe për provën e praktikës.
Pas marrjes së Vendimit Miratues:
- DRSHTRR regjistron autoshkollën në sistemin informatik të DPSHTRR-së.
- Regjistrohen gjithashtu mësuesi i teorisë, instruktorët e praktikës dhe mjetet e autoshkollës.
- Vijon procedura për pajisjen e instruktorëve dhe mjeteve me autorizimet përkatëse.