Pajisja me DAP Dëshmi Aftësie Profesionale për Makineri të rënda Automakinstë / Ekskvatoristë / Buldozeristë
Dëshmia e Aftësisë Profesionale (DAP) është dokument që provon se personi zotëron njohuri të mjaftueshme teorike dhe praktike mbi përcaktimin e rregullave të sigurimit teknik dhe mbrojtjes nga aksidentet në punë dhe njohurive teknike dhe profesionale për përdorimin e makinerive të rënda për punime ndërtimi dhe toke.
Makineritë e rënda të ndërtimit dhe emërtimet bëhen sipas Dëshmive të Aftësive Profesionale (DAP), të cilat ndahen si më poshtë:
a) eskavator gërmimi e ngarkimi dherash - të të gjitha llojeve si dhe fadromat e të gjitha llojeve (me goma dhe me zinxhirë), manovratorëve u jepet dëshmi për ESKAVATORIST;
b) buldozer gërmimi, shtyrje, nivelimi e ngjeshje dherash apo shpim toke: të gjithë llojet e traktorëve me thikë (ruspë), ose që tërheqin skreper, grejder apo nivelues, rul vibrues, shtruese asfalto-betoni, skreperët, grejderët dhe niveluesit kur janë vetëlëvizës, të gjithë llojet e traktorëve, me pajisje shtesë për ngritjen e peshave, shpimin e puseve etj, manovratorëve u jepet dëshmi për BULDOZERIST.
c) Automjete për përdorim të veçantë (APV) sipas pikës “g”, të nenit 54, të Kodit Rrugor, makineri ndërtimi mbi bazë automjeti: autovinça, autobetonierë, autopompa betoni, autobitumatriçe, autosonda, autotokmak manovratorëve u jepet dëshmi për AUTOMAKINIST.
Për lëvizjen apo qarkullimin në rrugë, makineritë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, nëse janë të pajisura me rrota pneumatike, duhet të plotësojnë kërkesat e nenit 113 dhe 122 të Kodit Rrugor, kurse drejtuesit e tyre, në varësi të makinerisë, duhet të jenë të pajisur me kategorinë përkatëse të lejedrejtimit.
Regjistrimi dhe dokumentacioni
Aplikanti regjistrohet nëpërmjet autoshkollës pranë zyrave të pranimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor që ka në juridiksion vendbanimin e tij. Nëse nuk ka subjekte private që ofrojnë këtë shërbim aplikanti regjistrohet në një DRSHTRR tjetër
Përfaqësuesi ligjor i autoshkollës paraqitet pranë DRSHTRR-së nën juridiksionin e së cilës ndodhet autoshkolla për regjistrimin të kandidatit për përgatitjen teorike dhe për provën e teorisë, plotëson kërkesën për kryerje shërbimi dhe dorëzon dokumentet e kandidatit si më poshtë:
- Dokument identifikimi;
- Fotokopje e lejes së drejtimit me kategorinë përkatëse sipas Dëshmisë;
- Raporti mjekësor për të vërtetuar aftësitë fizike në punë.
Tarifat:
Regjistrimi - 500 lekë,
Prova e kontrollit të njohurive teorike - 500 lekë
Riprovimi - 600 Lekë.
Pajisja me Dëshminë e Aftësisë Profesionale kushton 3,500 Lekë.
Trajnimi
Në autoshkollë kryhet programi mësimor i miratuar. Koha e mësimdhënies për kursin teorik duhet të jetë 16 orë total, të cilat do të zhvillohen në 8 ditë me nga 2 orë secila. Kursi praktik zhvillohet çdo ditë pas mësimit teorik me nga 1 orë në ditë (në total 8 orë).
Për qytetarët e Tiranës :
Regjistrimi për herë të parë kryhet në ambientet e Ish Nshrak.
Rinovim me DAP Dëshmi Aftësie Profesionale për Makineri të rënda Automakinstë/Ekskvatoristë/Buldozeristë
Aplikimi për rinovim të DAP kryhet pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor ku ka vendbanimin aplikanti.
Nëse aplikanti e ka vendbanimin në Tiranë, aplikimi bëhet pranë zyrave në KASHAR.
Aplikanti kërkon rinovimin e Dëshmisë kur është plotësuar afati i vlefshmërisë prej 5 vjetësh me nje kërkesë me shkrim të shoqëruar me dëshminë origjinale.
Dokumentacioni
- Dokument identifikimi;
- Fotokopje e lejes së drejtimit me kategorinë përkatëse sipas Dëshmisë;
- Raporti mjekësor për të vërtetuar aftësitë fizike në punë;
- Fotokopje e DAP (nëse kandidati nuk disponon dëshminë origjinale ose Dëshmia që disponon është dëmtuar);
- Librezë pune (sipas rasteve të parashikuara në ligj);
- Tarifa e shërbimit - 3,500 lekë.
Në rastet e humbjes ose vjedhjes së Dëshmisë, kërkesa bëhet me shkrim me sqarime të hollësishme mbi humbjen e saj. Nëse Dëshmia e humbur nuk është lëshuar nga DPSHTRR, duhet të paraqitet një vërtetim nga institucioni që e ka lëshuar.
Aplikimi për karton bëhet në Kashar.