Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP), është dokument personal, pjesë e dokumentacionit të qarkullimit të mjetit, e vlefshme vetëm për përdorimin e mjeteve të përcaktuara në kategoritë e shënuara të cilat në të gjitha rastet duhet të jenë në përputhje me kategoritë e lejes së drejtimit të mbajtësit të saj.
Modeli CAP, është pjesë e udhëzimit të Ministrit dhe e njëjtë me atë që parashikon Direktiva BE 2003/59/CE, prodhohet dhe shpërndahet nga strukturat e DPSHTRR-së.
Këto Certifikata lëshohen nga DRSHTRR-të, në varësi të kërkesës dhe lejes së drejtimit dhe janë 2 llojesh:
- CAP për transportin e mallrave, për drejtuesit e mjeteve të destinuara për transporte specifike të mallrave me peshë maksimale të autorizuar mbi 3.5 ton, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë C1, C1E, C dhe CE;
- CAP për transportin e udhëtarëve, për drejtuesit e mjeteve të destinuara apo autorizuara për transportin e udhëtarëve dhe nxënësve të shkollave, të pajisur me leje drejtimi të kategorisë D1, D1E, D dhe DE.
Cilido që zotëron një CAP dhe është i pajisur me leje drejtimi të kategorive C1 dhe D1 ose C dhe D, si dhe me ato që pasohen nga shtrirja e tyre, mund të kërkojë të pajiset me të dyja llojet e CAP, pasi të ketë kryer një trajnim periodik të veçantë dhe të jetë shpallur fitues i provimit përkatës teorik.
Përgatitja e kandidatëve që kërkojnë të pajisen për herë të parë me CAP, kryhet nëpërmjet kurseve te kualifikimit fillestar, në subjektet Autoshkollë të licencuara nga QKB-ja për këtë aktivitet.
Për regjistrimin e kandidatit, autoshkolla paraqet në zyrën e pranimit të DPSHTRR-së dokumentet përkatëse:
- Kërkesë për regjistrim sipas modelit te miratuar;
- Dokument identifikimi (fotokopje);
- Leje drejtimi e vlefshme për kategorinë CAP që kërkon (fotokopje);
- Certifikatë mjekësore për drejtues mjeti e lëshuar jo më herët se 6 muaj nga data e aplikimit (origjinal).
Tarifat e shërbimit
Në momentin e regjistrimit:
- Regjistrimi teorik - 1,000 lekë;
- Regjistrimi praktik - 1,000lekë;
- Testimi teorik - 1,000 lekë;
- Provimi praktik - 2,500 lekë.
Pas shpalljes fitues i CAP:
- Pajisje me karton CAP: 4,500 lekë.
Nga data 13.06.2022, kandidatët të cilët do të kryejnë rinovimin e kartonit të CAP (Certifikatë e Aftësisë Profesionale), do të mund ta bëjnë direkt në sportelet e Drejtorive Rajonale, pa kryer regjistrim periodik trajnimi dhe pa testim teorik.
Në zbatim të Udhëzimit Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Nr. 13, datë 02.06.2022 duke filluar nga data 10.06.2022 e në vazhdim përfitojnë të drejtën e rinovimit të Certifikatës së Aftësimit Profesional pa ju nënshtruar kursit dhe provave:
- Drejtuesit e mjeteve që kanë fituar leje drejtimi të kategorisë D para datës 21.10.2025, pavarësisht nëse janë pajisur apo jo me karton CAP;
- Drejtuesit e mjeteve që kanë fituar leje drejtimi të kategorisë D1 ose D pas datës 21.10.2015 dhe kanë fituar CAP për Transportin e Udhëtarëve, nëpërmjet kursit dhe provave përkatëse.
Për aplikim pranë Drejtorisë Rajonale kërkohet:
- Dokument identifikimi;
- Leje drejtimi e vlefshme për kategorinë CAP për të cilën kërkohet rinovimi;
- Kartoni i vjetër CAP (kur është i pajisur me karton);
- Certifikatë mjekësore për drejtues mjeti e lëshuar jo më herët se 6 muaj nga data e aplikimit (origjinal).
Tarifa e shërbimit:
- Pajisja me karton CAP: 4,500 lekë.
Rinovimi i CAP pa kurs dhe pa provim, mund të bëhet vetëm një herë brenda datës 20.10.2025.
Shkarko Pyetësorin CAP Shkarko Listën e Autoshkollave për CAP