Pagesa e tarifës për pajisjen me targë të personalizuar i mundëson blerësit të drejta ekskluzive mbi targën, si dhe transferimin e saj nga një mjet në tjetrin. Për të transferuar një targë të personalizuar është e detyrueshme që mjetet rrugore ndërmjet të cilave kryhet transferimi t’i përkasin së njëjtës kategori mjeti (nga autovetura në autoveturë). Transferimi i targës së personalizuar mund të bëhet:
- për rastet e ndryshimit të pronësisë, kur zotëruesi i targës së personalizuar shet mjetin me të cilin ishte lidhur ajo targë dhe dëshiron ta vendosë atë në një mjet tjetër;
- kur zotëruesi i targës së personalizuar ka 2 ose më shumë mjete në pronësi dhe kërkon të kalojë targën e personalizuar tek një nga këto mjete.
Ndalohet transferimi i targës së personalizuar në një mjet të çregjistruar në mënyrë të përhershme për të dalë jashtë përdorimi, tek një mjet historik Retro, ose tek një mjet i çregjistruar për eksport.
Gjithashtu, ndalohet transferimi i targës së personalizuar tek një pronar tjetër.
Në rastet kur mjeti i pajisur me targë të personalizuar shitet, dhurohet apo ndërron pronësi me ndonjë mënyrë tjetër të parashikuar nga Ligji, nuk do të lejohet ndërrimi i pronësisë së mjetit, nëse nuk është dorëzuar paraprakisht targa e personalizuar. Mjeti i shitur duhet të pajiset me targë të zakonshme për qarkullim dhe dokumente të reja qarkullimi.
Targa e personalizuar duhet të dorëzohet pranë DPSHTRR, me kërkesë të zotëruesit të saj, ku do të ruhet për një afat 1 (një) vjeçar. Nëse individi apo subjekti tregtar që ka blerë fillimisht targën e personalizuar nuk e transferon atë tek një mjet tjetër në pronësi të tij brenda këtij afati, DPSHTRR ruan të drejtën ta nxjerrë sërish në shitje këtë kombinim.