Konvertimi i Lejes së Drejtimit të Huaj

You are here

Paraqitja e kërkesës për konvertim leje drejtimi nga e huaj në shqiptare

Aplikanti, mbajtës i një lejedrejtimi të huaj të vlefshme, të lëshuar nga:

  • një shtet anëtar i Bashkimit Evropian;
  • SHBA, Kanada;
  •  ose nga shtete me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje dypalëshe/reciprociteti, dhe që është pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë me afat mbi 1 vit, paraqitet pranë DRSHTRR-së ku ka vendbanimin dhe dorëzon:
    • Dokument identifikimi të vlefshëm (kartë identiteti; për shtetasit e huaj: pasaportë e përkthyer e njehsuar nga noteri dhe leje qëndrimi të vlefshme me afat mbi 1 vit);
    • Deklaratë për marrjen e përgjegjësisë administrative, sipas modelit të miratuar;
    • Certifikatë mjekësore për drejtues mjeti që vërteton aftësinë shëndetësore për drejtimin e mjetit, e lëshuar jo më herët se 6 muaj nga data e aplikimit;
    • Fotokopje e leje drejtimit të huaj, të vlefshme e njehsuar me origjinalin nga noteri dhe e shoqëruar me përkthim të certifikuar.

Për shtetet e SHBA-ve dhe Kanadasë, aplikanti duhet të dorëzojë një vërtetim mbi leje drejtimin, të lëshuar nga autoriteti lëshues i saj, i cili duhet të jetë:

  • me vulë apostile nga autoriteti i shtetit lëshues;
  • i njehsuar nga noteri dhe i shoqëruar me përkthim të certifikuar.

Tarifa: 4,000 lekë

Verifikimi dhe njoftimi

DPSHTRR konfirmon vlefshmërinë e lejes së drejtimit nga shteti lëshues i saj (përjashtuar SHBA, Kanada) dhe informon DRSHTRR-në e cila njofton aplikantin për t’u paraqitur për vijimin e mëtejshëm të procedures së aplikimit për pajisje me leje drejtimi shqiptare.

Procedura për Aplikim për pajisje me leje drejtimi shqiptare

Paraqitja dhe dokumentacioni

Qytetari paraqitet pranë sporteleve të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) ku ka paraqitur kërkesën për konvertim dhe dorëzon dokumentet e mëposhtme:

  • Dokument identifikimi të vlefshëm (kartë identiteti; për shtetasit e huaj: pasaportë e përkthyer e njehsuar nga noteri dhe leje qëndrimi të vlefshme);
  • lejen e drejtimit të huaj.

Tarifa

  • Për personat me moshë < 65 vjeç: 4,500 lekë;
  • Për personat me moshë ≥ 65 vjeç: 2,000 lekë;
  • Për personat me sëmundje të veçanta / me aftësi të kufizuara: 2,000 lekë;
  • Kur personi ka kategorinë B dhe vlefshmëria e lejes së drejtimit del më pak se  5 vjet: 2,000 lekë;
  • Për pajisje me lejedrejtimi dublikatë nëse personi ka kategorinë B dhe vlefshmëria del më pak se  5 vjet: 2,000 lekë.

Marrja e fotos dhe shkrimit

Aplikantit i merret fotografia digjitale dhe i merret shkrimi elektronik (emër dhe mbiemër) në pajisjen elektronike. Këto të dhëna pasqyrohen në lejen e drejtimit.

Tërheqja e lejes së drejtimit

DRSHTRR Tiranë: brenda 30 minutave

DRSHTRR të tjera: brenda 5 ditëve

Shtetet me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjelltë dhe konvertimin e Lejeve të Drejtimit:

  • Itali;
  • Kosovë;
  • Maqedoni e Veriut;
  • Kroaci;
  • Mal i Zi;
  • Greqi;
  • Gjermani;
  • Moldavi
  • Turqi;
  • Katar;
  • Emiratet e Bashkuara Arabe;
  • Arabi Saudite;
  • Kore e Jugut.
Pajisja me lejedrejtimi shqiptare të anëtarëve të përfaqësisë diplomatike, konsullatave të nderit, organizatave ndërkombëtare, agjencive të specializuara të OKB-së në Shqipëri, si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, (mbajtës të pasaportës diplomatike)

Aplikanti, që qëndron më shumë se një vit në Republikën e Shqipërisë, plotëson kërkesën për kryerje shërbimi me objekt konvertimi, pranë DRSHTRR ku dhe ka Selinë Diplomatike Ambasada apo Organizata Ndërkombëtare dhe dorëzon:

  • Deklaratën e marrjes së përgjegjësisë administrative dhe penale;
  • Kërkesën e bëre nga Përfaqësia Diplomatike ose Organizata Ndërkombëtare për pajisje me lejedrejtimi shqiptare të mbajtesit të pasaportës diplomatike;
  • Fotokopje të kartës së legjitimitetit, të lëshuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, të vlefshme, të legalizuar nga Përfaqësia Diplomatike ose Organizata Ndërkombëtare;
  • Fotokopje të pasaportës diplomatike, të vlefshme, të përkthyer dhe të legalizuar nga Përfaqësia Diplomatike ose Organizata Ndërkombëtare;
  • Fotokopje të lejedrejtimit të vlefshme, të përkthyer dhe të legalizuar nga Përfaqësia Diplomatike ose nga Organizata Ndërkombëtare;
  • Certifikatë mjekësore me fotografi, me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës, leshuar nga mjeku i Ambasades apo Organizates se huaj, nese kane staf te tille mjekesh dhe në rast se jo, nga një prej qendrave tona shendetesore;
  • Pagesën e tarifës së shërbimit për pajisje të aplikantit me lejedrejtimi shqiptare për arsye konvertimi, sipas faturës së gjeneruar.

Lejedrejtimi kombëtar i diplomatit (origjinal) ruhet në DRSHTRR deri në përfundim të mandatit diplomatik.