Certifikata e Përputhshmërisë (Certificate of Conformity – CoC)

You are here

Certifikata e Përputhshmërisë (Certificate of Conformity – CoC) është dokumenti teknik dhe ligjor i lëshuar nga prodhuesi për çdo mjet individual, i cili vërteton se mjeti është prodhuar në përputhje me tipin e miratuar sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian. Ky dokument shërben për identifikimin teknik të mjetit dhe përdoret gjatë procedurës së regjistrimit.

CoC-ia lëshohet për një mjet të vetëm dhe përmban, ndër të tjera, numrin e identifikimit të mjetit (VIN), numrin e miratimit të tipit, të dhënat teknike të mjetit (dimensionet, masat, kodin e karrocerisë, emetimet ndotëse dhe karakteristika të tjera teknike), si dhe autorizimin e prodhuesit.

Legjislacioni i Bashkimit Evropian

Forma, përmbajtja dhe elementet e sigurisë të Certifikatës së Përputhshmërisë përcaktohen nga legjislacioni i Bashkimit Evropian për miratimin e tipit të mjeteve, sipas kategorisë së tyre.

Legjislacioni evropian në këtë fushë bazohet në tre rregullore kryesore dhe aktet përkatëse të zbatimit:

  • Rregullorja (BE) 2018/858, së bashku me Rregulloren Implementuese (BE) 2020/683, zbatohet për mjetet e kategorive ndërkombëtare M, N dhe O.
  • Rregullorja (BE) 168/2013, së bashku me Rregulloren e Deleguar (BE) 901/2014 dhe aktet përkatëse të zbatimit, zbatohet për mjetet e kategorisë ndërkombëtare L.
  • Rregullorja (BE) 167/2013, së bashku me Rregulloren e Zbatimit (BE) 2015/504 dhe aktet e tjera përkatëse, zbatohet për mjetet e kategorive ndërkombëtare T, C, R dhe S.

Për secilën kategori mjetesh, rregulloret përcaktojnë modelin, përmbajtjen dhe elementet e sigurisë që duhet të përmbajë certifikata e përputhshmërisë. Për këtë arsye, nuk ekziston një format unik i CoC për të gjitha mjetet, por një format specifik për secilën kategori.

Verifikimi i Certifikatës së Përputhshmërisë

Gjatë procedurës së regjistrimit, DPSHTRR verifikon nëse dokumenti është në formatin e parashikuar nga legjislacioni përkatës, përmban elementet e kërkuara të sigurisë dhe nëse të dhënat teknike, përfshirë numrin e identifikimit të mjetit (VIN) dhe numrin e miratimit të tipit, janë të sakta dhe në përputhje me dokumentacionin e prodhuesit.

Nëse certifikata e përputhshmërisë nuk plotëson kërkesat e legjislacionit në fuqi ose nuk përmban elementet e nevojshme të sigurisë, ajo nuk pranohet për regjistrimin e mjetit.

Paraqitja e Certifikatës së Përputhshmërisë

Për regjistrimin e një mjeti të ri në Republikën e Shqipërisë, certifikata e përputhshmërisë (CoC) duhet të paraqitet në origjinal, e lëshuar nga prodhuesi i mjetit.

Dokumenti depozitohet pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) gjatë procedurës së regjistrimit.

Në rastet kur certifikata e përputhshmërisë nuk është njohur më parë nga DPSHTRR ose kërkohet verifikimi i autenticitetit të saj, qytetari ose subjekti i interesuar mund të depozitojë një kërkesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), duke bashkëlidhur dokumentin në origjinal.

Pas depozitimit të kërkesës, DPSHTRR verifikon formatin, elementet e sigurisë dhe përmbajtjen teknike të dokumentit, si dhe, kur është e nevojshme, komunikon me prodhuesin për konfirmimin e autenticitetit të tij.

Direktivat Evropiane **