Hapat që duhet të ndiqni pas importit të mjetit në Shqipëri

You are here

Pas importimit të mjetit

Hapat që duhet të ndiqni pas importimit të mjetit ndryshojnë në varësi të destinacionit të tij: nëse mjeti do të regjistrohet në Republikën e Shqipërisë ose do të qarkullojë përkohësisht në territorin e saj.

Nëse mjeti do të regjistrohet në Republikën e Shqipërisë

  • Paraqituni pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) për të kryer procedurat e regjistrimit.

  • Nëse mjeti nuk është i pajisur me targa qarkullimi, ai nuk mund të qarkullojë në rrugë. Transporti i tij kryhet me karrotrec ose, në rastin e subjekteve të licencuara për tregtimin e mjeteve, me targa provë.

Nëse mjeti është i regjistruar jashtë Republikës së Shqipërisë

Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e regjistruara në një shtet tjetër, të cilat kanë përmbushur formalitetet doganore, mund të qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me legjislacionin doganor dhe dokumentacionin e regjistrimit të shtetit ku janë regjistruar.

Regjimi i Lejimit të Përkohshëm të Importit

Nëse mjeti do të përdoret përkohësisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, ai i nënshtrohet Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të Importit, sipas legjislacionit doganor në fuqi.

Kushtet kryesore

  • Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Republikës së Shqipërisë.

  • Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh.

  • Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë ose t'u nënshtrohet procedurave doganore përkatëse. Dalja e përkohshme në vendet fqinje nuk ri-fillon periudhën 6-mujore të lejimit.

  • Automjeti nuk mund të shitet, të transferojë pronësinë ose të përdoret për qëllime tregtare gjatë periudhës së lejimit të përkohshëm.

Kujdes! Mosrespektimi i kushteve të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm përbën shkelje të legjislacionit doganor dhe sjell pasojat e parashikuara në aktet ligjore në fuqi. Për informacion të detajuar mbi procedurat, afatet dhe detyrimet që lidhen me këtë regjim, drejtohuni pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave