Hapat që duhet të ndiqni pas importit të mjetit në Shqipëri

You are here

 

Hapat që duhet të ndiqni pasi të keni importuar mjetin, ndryshojnë në varësi të destinacionit ku mjeti do regjistrohet: në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë.

  • Nëse mjeti i importuar do regjistrohet në Shqipëri, qytetari do të paraqitet pranë Drejtorive Rajonale të DPSHTRR për të ndjekur procedurat e regjistrimit.
  • Nëse mjeti i importuar nuk ka targa qarkullimi, ai nuk mund të qarkullojë në rrugë/karrexhatë. Mjetet e patarguara qarkullojnë vetëm me karrotrec, ose me targa provë në rast se është subjekt i licensuar për tregtimin e mjeteve.
  • Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e regjistruara në një shtet të huaj dhe që i kanë kryer formalitetet doganore, lejohet të qarkullojnë në Shqipëri për një periudhë maksimale njëvjeçare, në bazë të dokumenteve të regjistrimit të shtetit të origjinës dhe lejes ndërkombëtare të qarkullimit.

Regjimi i lejimit të përkohshëm të importit

Në këtë rast, mjeti do t’i nënshtrohet Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit.

Kushtet e përgjithshme të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat janë këto:

  • Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë;
  • Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh;
  • Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore. Dalja e përkohshme në vendet fqinjë nuk shërben për të ri-numëruar/ri – filluar periudhën 6-mujore të lejimit;
  • Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes;
  • Personi që e ka sjellë automjetin në vend, nuk mund të lerë automjetin në Shqipëri në momentin e daljes nga territori i vendit;
  • Automjeti nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë, apo të përdoret për qëllime tregtare.

KUJDES!

  • Kur një automjet është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk deklarohet tek autoritetet doganore shqiptare për të kryer procedurat e tranzitit, ky veprim konsiderohet si “kontrabandë me automjete”;
  • Shkelja e afatit kohor të përdorimit të automjetit të sipërcituar si dhe kushteve të tjera konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas ligjit;
  • Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, p.sh.: për hedhje për qarkullim të lirë, penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara;
  • Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajsh përtej përfundimit të afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara;
  • Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtë – mujore të lejimit të përkohshëm, si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet është nga 50,000 në 200,000 Lekë.