Dokumentat që ju duhen me vete kur udhëtoni me mjetin tuaj jashtë Shqipërisë

Data e lajmit: 31 Jul 2023

Për të udhëtuar jashtë Shqipërisë me mjetin tuaj, ju duhet të keni këto dokumente me vete:
 

  • Leje Qarkullimi Mjeti shqiptare dhe ndërkombëtare (vetëm për ato mjete që nuk janë pajisur me modelin e ri të lejes së qarkullimit - modeli i ri eliminon nevojën e lejes ndërkombëtare të qarkullimit, të mjetit), të vlefshme.
  • Leje Drejtimi shqiptare dhe ndërkombëtare (leja e drejtimit ndërkombëtare nevojitet vetëm në ato shtete të huaja ku nuk kemi ende marrëveshje reciproke njohje/konvertim të Leje Drejtimit), të vlefshme.
  • Kontrata e Sigurimit të mjetit (TPL dhe Karton Jeshil), të vlefshme.
  • Certifikata e Kontrollit Teknik të mjetit, e vlefshme.

Autorizim përdorimi që përfshin datat e lëvizjes dhe destinacionin (edhe në anglisht) nëse mjeti nuk është në pronësi direkte, nga i zoti i mjetit! (mjafton me vulë të subjektit biznes ose me noterizim nëse mjeti është personal, jo i një firme)

DPSHTRR ju këshillon të shikoni me kujdes vlefshmërinë e dokumenteve të drejtuesit të mjetit dhe të vetë mjetit, para çdo udhëtimi brenda apo jashtë Shqipërisë!
Konsultohuni me webin tonë ngahera: www.dpshtrr.gov.al

KUJDES! Në disa shtete ka pulla apo taksa rrugore kalimi, tranziti apo qarkullimi, fikse apo dinamike, që duhen marrë dhe paguar që në hyrje në kufirin e tyre ose në lëvizje, ndaj duhet të vetëinformoheni paraprakisht!

Rrugë të mbarë!