DPSHTRR i kushton një rëndësi të veçantë forcimit të sigurisë rrugore, në suazën e detyrave funksionale, të zgjeruara me misionin edukativ e formues për përdoruesin e rrugës!
Prioritet i yni është puna për ndërtimin e një Kulture Trafiku, me aktivitete e programe edukative anembanë vendit; Çimentimi i vetëdijes mbi përgjegjësitë e përdoruesit të rrugës; Parakualifikimi i qytetarit për përfitimin e një Drejtuesi Mjeti të denjë me plotësimin e moshës dhe marrjen për herë të parë të Leje Drejtimit; Proces kualifikimi për Leje Drejtimi të merituar dhe me standarde;
Mjete rrugore më të sigurta!
Për herë të parë që nga krijimi i DPSHTRR (1999) kemi manualin zyrtar të teorisë! Manuali i ri, Mësimor, për Përgatitjen në Teori për Lejedrejtimin e kategorive AM, A1, A2, A, B1, B, BE, unifikon materialin mësimor në rang vendi dhe garanton formim të njehsuar e të certifikuar duke eliminuar kaosin didaktik.
Në qendër të vëmendjes kemi investimin më të rëndësishëm për rrugë të sigurta dhe breza të përgjegjshëm - edukimin që herët për formimin e nocioneve të sjelljes korrekte në lëvizshmëri dhe kulturën e trafikut. Prej vitit 2019 kemi organizuar 142 evente në 25 qytete me 7,976 fëmijë pjesëmarrës. Falë marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit, ky bashkëpunim do të shtrihet zyrtarisht në kurrikulat mësimore, me kapituj të dedikuar mbi sigurinë rrugore e tekste të reja plotësisht në përputhje me praktikat evropiane në të gjitha shkollat, deri në 18 vjeç, përfshirë trajnimin e mësuesve!
Prej Korrikut 2022, DPSHTRR është online me aplikacionin Leje Drejtimi në Play Store për Android dhe në App Store. Aplikacioni i ri përmban çdo udhëzim e informacion ndihmës, duke e bërë përmbajtjen më miqësore për të gjithë përdoruesit!
Statistikat raportojnë për një numër prej 157, 978 përdoruesish të aplikacionit me 18,863,682 pyetje të gjeneruara.
Prej Nëntorit 2022 jemi angazhuar në ndërtimin e Poligonit te parë publik të Testimit Praktik për Leje Drejtimi. Investim me standarte testimi transparente e në kushtë sigurie manovrash, por edhe një qendër futuristike edukimi e formimi për kursantë e subjekte të interesuara për simulime reale dhe virtuale, ushtrime e prova të epokës digjitale.