90,142 certifikime për errësimin e xhamave të mjeteve rrugore pranë DPSHTRR që nga Dhjetori 2019

Data e lajmit: 28 Jul 2022

Plot 90,142 certifikime për errësimin e xhamave të mjeteve rrugore janë kryer pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nga Dhjetori 2019 deri sot.

Xhamat e errësuara me materiale të homologuara ndihmojnë për:

  • Bllokimin e rrezeve UV dhe IR të rrezikshme për shëndetin.
  • Freski në ditë të nxehta.
  • Shikim më të mirë kundërvezullues.
  • Jetëgjatësi të interioreve.
  • Eko-konsum, kursim, ulje e ndotjes.
  • Siguri nga hajdutë kuriozë.
  • Privatësi dhe komoditet.

Ndaj dhe bazuar në marrëveshjen e re të bashkëpunimit me Policinë e Shtetit, u vendos në dispozicion kontrolleve rrugore, të Policisë Rrugore e të përbashkëta, pajisje matëse elektronike, të reja, për disiplinimin e duhur të kundravajtësve hileqar që rrisin mbi normat e lejuara errësimin (sidomos për xhamat anësor të parë).

Paralelisht, të dhënat mbi cilat mjete posedojnë certifikim dhe kanë shlyer tarifat përkatëse, aksesohen në kohë reale në sistemin eDPSHTRR, për verifikime transparente në terren.

Ndëshkohet ajo pakicë që abuzon, në respekt të kritereve rregullatore dhe të shumicës dërrmuese korrekte.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Policia e Shtetit garantojnë drejtuesit e mjeteve për çdo ndryshim funksional në mjet.