Certifikata e Re e Kontrollit Teknik po Nxjerr në Pah të Gjitha Ndërhyrjet Abuzive me Kilometrazhin

You are here

Çdo ditë, në Qendrat e Kontrollit Teknik anembanë vendit, po evidentohen raste flagrante të mjeteve me odometër (kilometrazh) të ulur, me ndërhyrje abuzive, të cilat po bllokohen pas analizës së historikut nga sistemet tona deri në korrigjimin e odometrit. Të gjitha mjetet që rezultojnë me anomali në odometër pajisen me certifikatë kolaudimi vetëm pas rregullimit të statusit të kilometrave, si edhe u shënohet historiku real në certifikatë.

Gjurma historike e manovrave me kilometrazhin do t’i shërbejë blerësve eventual që të njihen me këtë fakt dhe të mos mashtrohen më. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor mirëkupton rastet kur posedues të mjeteve rrugore trashëgojnë një status që është abuzuar nga shitësi apo zotërues të mëparshëm, ndaj edhe kjo drejtori nxit qytetarët që të denoncojnë më tej në polici e në organet kompetente nëse janë mashtruar apo gënjyer në aktin e shitjes e në çmim.

  • Stop uljes së kilometrave.
  • Ndal spekullimit me odometrin.
  •  Sistemi i ri përditëson statusin e kilometrazhit dhe nxjerr historikun.
  • Kush abuzon ngel në kolaudim.

Tashmë, Certifikata e re e Kontrollit Teknik që lëshohet në çdo Qendër Kontrolli Teknik, është e një modeli tërësisht evropian, në përputhje me Direktivën 2014/45/BE. 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor mirëpret kërkesa individuale për verifikim të mjeteve rrugore dhe inkurajon konsumatorët, subjektet, blerës potencial në treg, që të verifikojnë historikun e mjetit rrugor përpara çdo transaksioni.

Sugjerojmë qytetarët që të verifikojnë saktë dokumentacionin e mjetit si edhe të kërkojnë nga shitësi që të garantojë historikun e kilometrazhit ose të ketë kryer një Kontroll Teknik me certifikatën, modeli i ri me historik kilometrazhi.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor është gjithmonë në kërkim të rritjes së cilësisë së ofrimit të shërbimit për qytetarin, mbrojtjes së konsumatorit e të tregut automotiv, si edhe standardizimit të proceseve e sistemeve të kontrollit të flotës dhe të shërbimeve të transportit rrugor në Republikën e Shqipërisë.

(Fotot: Statuse km të ulura, të kapura në Qendrat e Kontrollit Teknik dhe certifikatat pas korrigjimit të odometrit)


"DPSHTRR është e certifikuar sipas standardit ISO 9001:2015 për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë nga TÜV Rheinland.

Për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatës klikoni këtu / skanoni kodin QR.”