DPSHTRR nënshkruan marrëveshjen me ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar) për Edukimin e Unifikuar dhe të Certifikuar mbi Sigurinë Rrugore, në arsimin parauniversitar (nga Klasa 1 - 12)!

You are here

Me vullnetin e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Znj. Evis Kushi, zhvilluam takimin me Drejtorin e ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar), Z. Gerti Janaqi dhe Shefin e Zhvillimit të Kurrikulave, Z. Astrit Dautaj, mbi hartimin e marrëveshjes kuadër mes MAS dhe DPSHTRR për Projektin e Hartimit dhe Implementimit të Paketës së re, të rishikuar dhe të zgjeruar, të Programit Zyrtar të Teksteve Shkollore të Edukatës së Trafikut Rrugor dhe të materialeve formuese e burimore në ndihmë të trajnimit të mësuesve të sistemit arsimor. Ky bashkëpunim bazohet në ndryshimet e Kodit Rrugor, propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, mbi unifikimin dhe homologimin e manualeve formuese, rolin e DPSHTRR, si edhe interesin strategjik për rritje sigurie rrugore dhe publike, me objektiv kulturën mbi trafikun dhe lëvizshmërinë e sigurt!

Marrëveshja e re Kuadër do të sjellë risi në metodologji e didaktikë, orë digjitale mësimore dhe simulatorë, aplikacione online e aktivitete të konceptuara sipas grupmoshave! Synimi është përgatitja e individit si një përdorues rruge, mjeti, pasagjer, këmbësor, pedalues e drejtues mjeti, që në vegjëli sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, për një realitet ku sot motorizimi i shoqërisë është dyfishuar nga viti 2013, duke shkuar në rreth 300 mjete për 1000 banorë, ose +86%, me projeksion aktual trendi rritjeje prej rreth 50 mijë mjete rrugore në vit!