Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor, informohuni saktë dhe zbatoni dispozitat e reja!

You are here

Rregullime për rritjen e sigurisë në kabinë, për fëmijët! Kufizime dhe ndalime, udhëzime specifike për pajimet dhe kushtet e detyrueshme për mbrojtjen e fëmijëve të ulur në automjete!

Norma jetike në rast aksidentesh rrugore!

Drejtues mjeti, familjarë, shoqërues, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor, informohuni saktë dhe zbatoni dispozitat e reja

  • NDALOHET ulja e fëmijëve në sediljen e parë, edhe nëse mbajnë rrip sigurimi, nëse gjatësia e tyre nuk i kalon 1.50 metra!
  • LEJOHEN fëmijët të sigurohen në sediljen e parë, kur kjo mundësohet me sisteme të posaçme fiksuese, të homologuara, vetëm me fytyrë mbrapsht, me Airbag të çaktivizuar!

Në nenin 170 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

b) Pika 4 ndryshohet si më poshtë:

“4. Fëmijët deri në moshën 3 vjeç duhet të udhëtojnë të siguruar me sisteme të përshtatshme fiksuese të homologuara, të përshtatshme për peshën e tyre, në vendet e pasme të mjetit.

Ata mund të udhëtojnë në vendet e përparme të mjeteve të kategorive M1, N1, N2 dhe N3 të klasifikuara në nenin 47, pika 2, të këtij Kodi, të siguruar me sisteme të përshtatshme fiksuese, me fytyre prapa, vetëm kur jastëkët e ajrit janë të çaktivizuar.

Sistemet fiksuese të fëmijëve duhet të instalohen në mjet në përputhje me udhëzimet e dhëna nga prodhuesi.”

c) Pas pikës 4 shtohen pika 4/1 dhe 4/2 me këtë përmbajtje:

“4/1. Në mjetet e kategorive M1, N1, N2 dhe N3 pa sisteme të përshtatshme fiksuese fëmijët me moshë deri në tre vjeç nuk mund të udhëtojnë.

4/2. Fëmijët me moshë mbi tre vjeç nuk lejohet të qëndrojnë në vendet e përparme kur gjatësia e tyre nuk kalon 1,50 m.”

ç) Në pikat 5 dhe 6 fjalët “në moshën 4 vjeç” zëvendësohen me fjalët “në moshën 3 vjeç”.

d) Në pikën 8 paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:

“Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit për fëmijë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 5000 (pesë mijë) deri në 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e këtij fëmije. Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.”

 


"DPSHTRR është e certifikuar sipas standardit ISO 9001:2015 për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë nga TÜV Rheinland.

Për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatës klikoni këtu / skanoni kodin QR.”