Nga 1 Qershori Kartat e Tahografit me 60% Ulje Tarife

Data e lajmit: 27 Jul 2022

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka nisur nga 1 Qershori lëshimin e kartave të Tahografit me 60% ulje tarife, duke e ofruar 40 Euro nga 100 Euro që kushtonte.

Karta e Tahografit mund të merret për 10 ditë nga 30 ditë që vononte përpara duke e shpejtuar procesin me 67% kursim kohe, falë rikonceptimit të shërbimit nga kjo drejtori.

Në muajin e parë të aplikimit të risive:

671 aplikime ose 227% më shumë se mesatarja mujore.

270 mijë euro i janë kursyer transportuesve rrugorë nga ulja drastike e tarifës dhe nga rritja e ditëve të punës (ulen ditët e pritjes pa kartë, pra pa punë) vetëm gjatë muajit të parë.

Vizioni  i  Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor është të ulë kostot për sektorët jetik të transportit rrugor që janë shumë të ekspozuar me krizën globale të çmimeve që pason fazën e zgjatur të pandemisë nga Covid-19.