Z. Blendi Gonxhja \ Rëndësia e Kujdesit të Drejtimit të Automjetit

You are here

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Z. Blendi Gonxhja, në një postim në profilin e tij personal në facebook, ka ndarë gjatë ditës së sotme opinion e tij edhe rëndësinë mbi kujdesin që qytetarët duhet të tregojnë gjatë drejtimit të automjetit, duke marrë shkas nga aksidentet me pasojë fatale që kanë ndodhur gjatë 24 orëve në vendin tonë por edhe kryesisht gjatë muajit gusht.        

Në postimin e tij, Z.Gonxhja, e cilëson muajin gusht si muaj me trafik maksimal, si pasojë e hyrjeve më të mëdha të turistëve e ardhjes së emigrantëve për pushime, e rritjes së jashtëzakonshme të numrit të mjeteve rrugore me mjete të huaja apo të qerasë, i frekuencës së lëvizjeve e transportit gjatë 24 orëve, por gjithashtu thekson se  këto ngjarje me pasoja fatale flasin për aksidente në shumicën e rasteve të pajustifikueshme, të shmangshme dhe të pafalshme.

Ai citon se pija, konsumimi i drogave, mos sigurimi me rrip e sedilje fëmijësh, manovra të çmendura në zona urbane ose lagje, mos respektimi i masave bazë mbrojtëse si nga këmbësorët (ditën e natën) ashtu dhe nga pedaluesat e drejtuesat e mjeteve, rrjetet sociale tik-toku e instagrami, shpërqendrimi, celulari, grimi a ushqimi në timon, cigarja a çibuku, pasagjeri përpara me këmbët aty ku duhet të plasi airbag-u në rast përplasjeje, ecja me pasagjerë të dalë jashtë kabinës me kokë e gjymtyrë, janë sjellje vrasëse.

 Z.Gonxhja, gjithashtu shpreh edhe për rekordin pozitiv për më pak fatalitete e më pak aksidente me pasoja që u shënua gjatë muajit korrik, por edhe në shifrat si 8-mujor krahasuar me vitin e shkuar, me një numër të ulët të viktimave, uljen e aksidenteve tek të rinjtë, tek të sapopatentuarit, përmirësimin e parametrave të sigurisë krahasuar me shumë vende të rajonit e madje me vende anëtare të BE-së, ndërkohë që numri i mjeteve dhe përdoruesve të rrugës njeh veç rritje dhe çdo jetë e humbur është një dramë për këdo.

Disa këshilla praktike që ai thekson në postimin e tij: 

  • Modero ecjen në qytete. Eshtë aty ku vetësiguria na bën të gabojmë më shpesh dhe ku rreziku e propabiliteti për ngjarje me pasoja të rënda tek këmbësorë, fëmijë, të moshuar është maksimal. Respekto sinjalistikën dhe dili përpara së papriturës, përqendrohu, mos dhuno trafikun, të tretët, rregullat.
  • Siguro me rrip veten dhe çdo pasagjer në kabinë, sidomos të miturit; mos harro sediljen e posaçme sipas gjatësisë e moshës së çdo fëmije në kabinë.
  • Drejto mjetin me qytetari e përgjegjshmëri, sinjalizo e kontrollo pasqyrat anash e mbrapa, mos tapos korsinë e shpejtë, zgjidh dhe ec në korsinë e duhur, parakalo pa rrezikuar veten dhe të tjerët, lexo dhe ndiq trafikun.
  • Mos i jep makinës i pirë, i përgjumur, i sëmurë, i tejlodhur apo pa patentë.
  • Kontrollo para çdo udhëtimi mjetin, gomat, dritat, gjendjen fizike, teknike e dokumentacionin.
  • Mos transporto mallra, sende të pasiguruara mirë.
  • Jo celular, cigare në timon.
  • Mos ndalo vend e pa vend. Nëse ke difekt mos harro jelekun e emergjencës, trekendëshin paralajmërues në distancë dhe sigurimin e pasagjerëve.
  • Rruga ka rrezik. Kujdes!

 


    Certifikuar sipas Standardit ISO 9001 nga