Heqja e përkohshme nga qarkullimi e mjetit do të thotë që, sipas deklarimit të zotëruesit të tij, ai mjet për një periudhë të caktuar kohore nuk do të përdoret në trafikun rrugor.
Gjatë periudhës që një mjet është hequr përkohësisht nga qarkullimi, zotëruesi i tij përjashtohet nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura.Deklarimi për heqje të përkohshme nga qarkullimi, lejohet të bëhet vetëm një herë brenda një viti kalendarik.
Për një mjet që është hequr përkohësisht nga qarkullimi mund të kërkohet përsëri rifutja e tij në qarkullim ose mund të kërkohet edhe heqja e përhershme nga qarkullimi.
Gjatë periudhës që një mjet është hequr përkohësisht nga qarkullimi, administrimi dhe ruajtja nga zyrat e DPSHTRR-së, i lejes së qarkullimit dhe i targave bëhet pa kosto deri në 5 vjet. Për mosparaqitje të zotëruesit të mjetit, brenda 5 vjetësh nga data e çregjistrimit të përkohshëm, ruajtja e dokumenteve të qarkullimit dhe e targave bëhet kundrejt pagesës.
Dokumentet identifikues që i kërkohen aplikantit
- Kur aplikanti është vetë pronari i mjetit duhet karta e identitetit ose pasaporta biometrike, e cila pasi fotokopjohet dhe legalizohet nga nëpunësi i pranimit sipas rregullave në fuqi, i kthehet përsëri aplikantit;
- Kur aplikanti është përfaqësues i pronarit që zotëron mjetin, përveç kartës së identitetit që fotokopjohet dhe legalizohet, kërkohet dhe prokura e posaçme për këtë qëllim, të lëshuar nga noteri;
- Kur aplikanti është përfaqësues i subjektit që zotëron mjetin, përveç kartës së identitetit që fotokopjohet dhe legalizohet, duhen dhe:
- Për subjektet e regjistruar, Ekstrakti QKB-së, në origjinal, ose i printuar drejtpërdrejt nga faqja e internetit të QKB-së në sportel, i cili legalizohet nga nëpunësi i pranimit sipas rregullave në fuqi, si dhe autorizim për personin që do të kryejë veprimet, nëse nuk është përfaqësues ligjor i subjektit;
- Për subjektet që me ligj nuk regjistrohen në QKB, p.sh. institucionet shtetërore, diplomatike, organizatat jo qeveritare etj., duhet vetëm fotokopje e NIPT-it, e njehsuar me origjinalin, me vulën zyrtare të institucionit përkatës, shoqëruar me autorizimin për personin që do të kryejë veprimet;
- Kur aplikanti është administrator ose drejtues teknik i agjencisë të licencuar që trajton praktika për regjistrimin e mjeteve, përveç kartës së identitetit që fotokopjohet dhe legalizohet, kërkohet dhe dokumenti që zotëruesi i mjetit autorizon agjencinë për të kryer veprime për mjetin. Administratori ose drejtuesi teknik i agjencisë mund të autorizojë një punonjës tjetër të agjencisë me kusht që paraprakisht të ketë njoftuar me shkresë zyrtare DRSHTRR-në për personat të cilat janë të punësuar konform legjislacionit në fuqi, pranë kësaj agjencie. Shërbimi për këto agjenci do të kryhet vetëm në Drejtorinë Rajonale që ka në juridiksion vendbanimin e agjencisë;
- Kur aplikanti, zotërues i mjetit, është shtetas i huaj, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, kërkohet lejeqendrimi e vlefshme, e lëshuar nga organet kompetente të Ministrisë së Brendshme, e cila pasi fotokopjohet dhe legalizohet nga nëpunësi i pranimit sipas rregullave në fuqi, i kthehet përsëri aplikantit;
- Kur aplikanti, zotërues i mjetit, është person i trupit diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë, kërkohet fotokopja e kartës identifikuese diplomatike/shërbimit me vulën e ambasadës.
Ku ofrohet shërbimi?
Shërbimi për heqjen e përkohshme nga qarkullimi, ofrohet pranë Drejtorisë Rajonale që ka nën juridiksion vendbanimin e zotëruesit të mjetit. Harta e Drejtorive.
Në Drejtoritë Rajonale Tiranë, Durrës dhe Fier ju mund të rezervoni një orar për marrjen e shërbimit
Rastet e heqjes së përkohshme nga qarkullimi dhe dokumentat e nevojshëm
Për arsye vetjake të zotëruesit të mjetit
- Zotëruesi i mjetit plotëson formularin e kërkesës në formë deklarate (plotësohet në sportelin e shërbimit);
- Dokumentin identifikues, që i jep aplikantit të drejtën për të marrë shërbim;
- Targën/at e mjetit (në rast humbje të tyre, dorëzohet vërtetimi i denoncimit i lëshuar nga Policia e Shtetit);
- Lejen e qarkullimit të mjetit (në rast humbje të tyre, dorëzohet vërtetimi i denoncimit i lëshuar nga Policia e Shtetit);
- Certifikatën e pronësisë së mjetit, për rastet kur leja e qarkullimit është model i vjetër.
Kur mjeti rezulton pozitiv në sistemin ASF2 të interpolit
- Zotëruesi i mjetit plotëson formularin e kërkesës në formë deklarate (plotësohet në sportelin e shërbimit).
- Dokumentin identifikues, që i jep aplikantit të drejtën për të marrë shërbim (i)
- Targën/at e mjetit (në rast humbje të tyre, dorëzohet vërtetimi i denoncimit i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit);
- Lejen e qarkullimit të mjetit (në rast humbje të tyre, dorëzohet vërtetimi i denoncimit i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit);
- Certifikatën e pronësisë së mjetit, për rastet kur leja e qarkullimit është model i vjetër.
Kur mjeti ju është vjedhur
- Zotëruesi i mjetit plotëson formularin e kërkesës në formë deklarate (plotësohet në sportelin e shërbimit) dhe dorëzon;
- Dokumentin identifikues, që i jep aplikantit të drejtën për të marrë shërbim;
- Vërtetim nga prokuroria se çështja është në ndjekje penale, pushuar ose pezulluar, kur vjedhja ka ndodhur brenda vendit;
- Vërtetim me vulë Apostile, të lëshuar nga organet ligjzbatuese të shtetit ku ka ndodhur vjedhja;
- Deklaratë, para specialistit të regjistrimit, nga zotëruesi i mjetit ku të përcaktojë se targat dhe leja e qarkullimit kanë qenë në mjet.
Kur mjeti ju është sekuestruar ose bllokuar brenda vendit
- Zotëruesi i mjetit plotëson formularin e kërkesës në formë deklarate (plotësohet në sportelin e shërbimit) dhe dorëzon;
- Dokumentin identifikues, që i jep aplikantit të drejtën për të marrë shërbim;
- Vërtetim i lëshuar nga institucioni që ka sekuestruar ose mjetin. Në vërtetim të jetë cilësuar se janë sekuestruar dhe targat e leja e qarkullimit.
Kur mjeti ju është sekuestruar ose bllokuar jashtë shtetit
- Zotëruesi i mjetit plotëson formularin e kërkesës në formë deklarate (plotësohet në sportelin e shërbimit) dhe dorëzon;
- Dokumentin identifikues, që i jep aplikantit të drejtën për të marrë shërbim;
- Vërtetim i lëshuar nga institucioni i shtetit që ka sekuestruar ose bllokuar mjetin. Në vërtetim të jetë cilësuar se janë sekuestruar dhe targat e leja e qarkullimit.
Për të gjitha rastet e heqjes së përkohshme nga qarkullimi
Duhet të jenë paguar detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të mjeteve të përdorura, nëse ka të tilla;
Zyra e regjistrimit do tju pajisë me “Vërtetim për Heqjen e Përkohshme nga Qarkullimi e Mjetit”. Ky vërtetim do t’ju nevojitet në rastin e rifutjes së mjetit në qarkullim ose në rastin e heqjes së përhershme nga qarkullimi të mjetit.
Rifutja e mjetit në qarkullim
- Zotëruesi i mjetit plotëson formularin e kërkesës në formë deklarate (plotësohet në sportelin e shërbimit) dhe dorëzon;
- Dokumentin identifikues, që i jep aplikantit të drejtën për të marrë shërbim;
- Vërtetimin për heqjen e përkohshme nga qarkullimi të mjetit.
Kur targa ose targat, që keni dorëzuar, janë sipas modelit të vjetër shërbimi do të kryhet duke bërë dhe ndryshimin e targës ose targave të cilat lëshohen sipas modelit të ri.
Tarifat
- Çregjistrim i përkohëshëm i mjeteve rrugore – 1.000 Lekë.
- Rifutje në qarkullim të mjeteve rrugore – 1.000 Lekë.
- Ruajtje e dokumentave dhe targave me çregjistrim të përkohshëm me afat mbi 5 vjet (për çdo vit) – 1.000 Lekë.
- Pajisje me leje qarkullimi te mjeteve rrugore – 2.500 Lekë.
- Pajisje me targë të mjeteve rrugore (1 copë) – 2.000 Lekë.
Baza Ligjore
Ligj Nr.8378, datë 22.7.1998 “KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, neni 102.
Ligj Nr.9975, datë 28.7.2008 “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, neni 9.
VKM Nr.153, datë 7.4.2000 “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZBATIMIT TË KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, neni 252.
Udhëzim i MIE Nr. 4, datë 28.6.2019 “PËR DOKUMENTET PËR QARKULLIM DHE REGJISTRIM TË MJETEVE RRUGORE”, neni 17.