Kontrolli Teknik i Mjetit

You are here

Kontrolli Teknik është një vlerësim periodik i detyrueshëm i gjendjes teknike të sistemeve të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove, që kanë rëndësi për sigurinë e qarkullimit Rrugor.

Lëvizja pa një kontroll teknik të vlefshëm penalizohet me gjobë nga organet kompetente si Policia e Shtetit, Task Forca e Transportit Rrugor etj. 

Kontrolli teknik konsiston në testimin e mjeteve me anë të pajisjeve të specializuara për kontrollin e funksionimit të sistemeve mekanike dhe kontrollin vizual, të cilat testohen nga specialistët e çertifikuar për kryerjen e kontrollit teknik.

Fushat kryesore, që përfshijnë komponentët e mjeteve objekt i kontrollit, janë:

  • Identifikimi i mjetit;
  • Sistemi i frenimit;
  • Sistemi i drejtimit;
  • Shikueshmëria;
  • Pajisjet e ndriçimit dhe pjesët e sistemit elektrik;
  • Boshtet, rrotat, gomat, suspension;
  • Shasia dhe elementët e fiksuar në shasi;
  • Ndikimi në mjedis;
  • Pajisje të tjera;
  • Kontrolle shtesë për mjetet e kategorive M2 dhe M3 që mbajnë pasagjerë.

Kushtet që duhet të plotësojë mjeti për kryerjen e kontrollit teknik

  • Në mjet duhet të jenë të montuara/të fiksuara targat e tij;
  • Mjeti duhet të jetë i larë, i pastër nga brenda dhe jashtë;
  • Pronari apo përdoruesi i mjetit duhet të heqë cdo send/objekt jo pjesë konstruktive e mjetit që mund të pengojë/ndërhyjë në kryerjen e procedurës së kontrollit teknik;
  • Të dhënat fizike/teknike të mjetit duhet të jenë në përputhshmëri të plotë me lejen e qarkullimit;
  • Çdo ndryshim konstruktiv i kryer ndaj mjetit (si psh. ndryshim në sistemin e ushqimit të motorëve me ndezje të detyruar, me lëndë djegëse benzinë dhe me LPG/CNG/LNG, etj) ndryshimi i ngjyrës së mjetit etj duhet të jetë i pasqyruar në lejen e qarkullimit;
  • Detyrimet si taksa vjetore e mjetit, gjoba e KT, gjoba e Task Focës së Transportit Rrugor, duhet të jenë të shlyera përpara se të paraqiteni në sportelin e kontrollit teknik.

Në rast se kushtet e mësipërme nuk respektohen, mjeti nuk do të pranohet për shërbimin e kontrollit teknik ose do të rezultojë ngelës.

Kujdes:

  • Drejtuesit e mjeteve janë përgjegjës për gjendjen teknike, funksionale dhe sistemet e mjetit përpara çdo lëvizjeje në qarkullim, sipas Kodit Rrugor: Neni 71, pika 5 dhe Neni 78, pika 4;
  • Odometri (matësi i kilometrave të mjetit) duhet të jetë pa ndërhyrje dhe funksional pasi kilometrat e përshkuara do të pasqyrohen në Çertifikatën e Kontrollit Teknik me vlerë për historikun e automjetit. Ndërhyrja në Odometër është vëpër e dënueshme sipas legjislacionit në fuqi;
  • Organet ligjzbatuese mund të kërkojnë rikontroll të mjetit nëse konstatohen të meta apo difekte që cënojnë sigurinë rrugore dhe ndotjen e ambientit në zbatim të nenit 79, pika 6 e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.