Easy Check për Kontrollin Fizik në Ambjentet e Subjektit

You are here

EASY CHECK – Kontrolli fizik i mjeteve të reja pranë subjektit
 

Shërbimi Easy Check mundëson identifikimin e treguesve teknikë (kontrollin fizik) të mjeteve të reja në ambientet e subjektit, pa qenë e nevojshme dërgimi i tyre në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Shërbimi ofrohet vetëm nga DRSHTRR Tiranë dhe vetëm për subjektet e pajisura me licencë aktive VII.3.B.1/d.

Aplikimi dhe ndjekja e shërbimit janë të digjitalizuara nëpërmjet Platformës Easy Check, ku subjektet mund të regjistrohen, të paraqesin kërkesat për shërbim dhe të ndjekin online ecurinë e tyre deri në përfundim.

  1. Regjistrimi i subjekteve

Për t’u regjistruar në shërbimin Easy Check, çdo subjekt plotëson aplikimin për regjistrim në formën online, të aksesueshme në link: https://www.dpshtrr.al/easy-check. Në të plotësohen të dhënat identifikuese të subjektit, NIPT-i, të dhënat e licencës, të dhënat e personit të kontaktit, numri i telefonit, adresa e emailit dhe vendndodhja ku kërkohet kryerja e shërbimit.

Kërkesa shqyrtohet nga DPSHTRR dhe përgjigjja dërgohet në adresën e emailit të deklaruar nga subjekti. Në rast miratimi, dërgohet edhe link-u për akses në portalin e dedikuar të subjektit, pjesë e platformës.

  1. Aplikimi për shërbimin

Pas miratimit të regjistrimit, subjekti aplikon për shërbimin Easy Check nëpërmjet portalit të dedikuar, duke përdorur link-un e dërguar me email.

Në aplikim plotësohen lista e mjeteve me numrat e identifikimit (VIN), vendndodhja ku do të kryhet shërbimi, data preferenciale për kryerjen e tij dhe mënyra e pagesës.

Pas verifikimit nga DPSHTRR, statuset e aplikimeve pasqyrohen në portalin e subjektit, ku mund të ndiqet ecuria e tyre deri në përfundimin e shërbimit.

  1. Konfirmimi i datës dhe orarit të shërbimit

Shërbimi konfirmohet për datën preferenciale të përcaktuar nga subjekti në aplikim. Në rast pamundësie operacionale, kryerja e shërbimit mund të shtyhet për ditën e parë të punës pas kësaj date.

Subjekti njoftohet me email për datën dhe orarin e konfirmuar të shërbimit. Njëkohësisht, statusi i konfirmimit shfaqet në portalin e subjektit.

  1. Pagesa e shërbimit

Pagesa kryhet sipas mënyrës së përzgjedhur nga subjekti në aplikim:

  • Me POS, në ambientet e subjektit;
  • Nëpërmjet bankës, online përmes aplikacioneve bankare ose pranë sporteleve të bankës;
  • Me pagesë cash ose POS, në arkën e DRSHTRR-së, përpara kryerjes së shërbimit.

Pagesa me POS në ambientet e subjektit ose nëpërmjet bankës mundëson kryerjen e pagesës pa u paraqitur në DRSHTRR.

  1. Kryerja e shërbimit në ambientet e subjektit

Në datën dhe orarin e konfirmuar, specialisti i DRSHTRR Tiranë paraqitet në vendndodhjen e miratuar për këqyrjen fizike dhe fotografimin e mjeteve të përfshira në aplikim.

Subjekti siguron që mjetet të jenë të pranishme dhe të aksesueshme, si dhe vë në dispozicion dokumentacionin përkatës për kryerjen e shërbimit.
 

Easy Check mbulon kontrollin fizik të mjeteve të reja. Veprimet e mëtejshme për regjistrimin e tyre vijojnë sipas procedurave në fuqi.