NJOFTIM PËR POZICIONIN VAKANT “ANËTAR I KOMISIONIT RETRO”
Në mbështetje të ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në zbatim të Urdhrit nr. 1414/2, datë 26.02.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të DPSHTRR-së, “Për miratimin e Rregullores Teknike për vlerësimin dhe klasifikimin e mjeteve rrugore të hershme me karakter historik dhe koleksionimi”, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka nisur procesin e përzgjedhjes së 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit të koleksionistëve të mjeteve rrugore të hershme me karakter historik dhe koleksionimi, të cilët do të jenë pjesë e Komisionit “Retro”, me mandat 1 (një) vjeçar.
Aplikantët që shprehin interes për t'u bërë pjesë e këtij Komisioni duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
I. KRITERET E PËRGJITHSHME
- Të kenë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
- Të jenë shtetas shqiptarë;
- Të kenë përvojë, njohuri ose angazhim të dëshmuar në fushën e koleksionimit, restaurimit, mirëmbajtjes, dokumentimit dhe ruajtjes së mjeteve rrugore të hershme me karakter historik dhe koleksionimi;
- Të mos kenë konflikt interesi me objektin e veprimtarisë së Komisionit;
- Të ketë mjete historike "Retro" në pronësi;
Aplikanti ka detyrimin të paraqesë një deklaratë personale, të nënshkruar, nën përgjegjësinë e tij, nëpërmjet së cilës konfirmon vërtetësinë e dokumentacionit dhe të dhënave të paraqitura gjatë procesit të aplikimit.
II. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E ANËTARËVE TË KOMISIONIT “RETRO”
Anëtarët e Komisionit “Retro” do të marrin pjesë në procesin e verifikimit, vlerësimit dhe klasifikimit të mjeteve rrugore të hershme me karakter historik dhe koleksionimi, në përputhje me përcaktimet e Rregullores Teknike përkatëse.
Në ushtrimin e këtij funksioni, anëtarët kanë përgjegjësinë:
- Të marrin pjesë në mbledhjet dhe veprimtarinë e Komisionit, duke kontribuar me njohuritë dhe përvojën e tyre në fushën e mjeteve historike;
- Të shqyrtojnë mjetet rrugore dhe dokumentacionin e tyre teknik e historik, të paraqitur për vlerësim dhe klasifikim;
- Të verifikojnë dhe vlerësojnë karakteristikat historike, teknike, konstruktive dhe origjinalitetin e mjeteve;
- Të japin vlerësime profesionale lidhur me gjendjen e ruajtjes, restaurimit, autenticitetin dhe klasifikimin e mjeteve;
- Të plotësojnë dhe nënshkruajnë Formularin R02 – “Akt konstatimi për vlerësimin e mjeteve me interes historik dhe koleksionimi”, duke pasqyruar me saktësi konstatimet dhe vlerësimet e tyre;
- Të argumentojnë teknikisht dhe profesionalisht vlerësimet e dhëna;
- Të ushtrojnë funksionin me paanshmëri, objektivitet dhe profesionalizëm, duke respektuar detyrimin për konfidencialitet dhe rregullat për parandalimin e konfliktit të interesit;
- Të deklarojnë çdo rrethanë që mund të krijojë konflikt interesi gjatë ushtrimit të funksionit dhe të mos marrin pjesë në shqyrtimin dhe vlerësimin e rasteve përkatëse;
- Të respektojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara në Rregulloren Teknike përkatëse.
III. PËRVOJA PROFESIONALE DHE NJOHURITË TEKNIKE
Kandidati duhet të dëshmojë përvojë profesionale, aftësi praktike dhe njohuri teknike në fushën e mjeteve historike, veçanërisht në:
- Restaurimin, mirëmbajtjen, konservimin ose ruajtjen e mjeteve historike;
- Administrimin, dokumentimin ose studimin e koleksioneve të mjeteve historike;
- Identifikimin e mjeteve historike sipas markës, modelit, vitit të prodhimit dhe karakteristikave teknike;
- Njohjen e historikut të prodhimit të automjeteve dhe motoçikletave historike;
- Identifikimin dhe verifikimin e origjinalitetit të shasisë, motorit dhe pjesëve përbërëse, si dhe dallimin e pjesëve origjinale nga ato të zëvendësuara, të modifikuara ose të riprodhuara;
- Njohjen e standardeve dhe praktikave të restaurimit dhe ruajtjes së konfigurimit origjinal;
- Vlerësimin e gjendjes teknike, estetike dhe të ruajtjes së mjeteve historike;
- Njohjen dhe shqyrtimin e dokumentacionit teknik dhe historikut të mjeteve;
- Pjesëmarrjen dhe kontributin në ekspozita, panaire, takime ose aktivitete të komunitetit të koleksionistëve.
IV. KUALIFIKIMET PËRKATËSE
Në vlerësimin e kandidatëve do të merren në konsideratë edhe kualifikimet dhe kontributet e mëposhtme:
- Dëshmi kualifikimi, certifikata, trajnime dhe tituj kombëtarë ose ndërkombëtarë në fushën përkatëse;
- Trajnime në fushën e historisë së automobilizmit;
- Vlerësime kombëtare ose ndërkombëtare dhe tituj nderi për kontribut në restaurimin dhe ruajtjen e mjeteve historike;
- Pjesëmarrje në konferenca, seminare dhe aktivitete profesionale;
- Publikime, studime ose punime kërkimore në fushën e mjeteve historike.
V. DOKUMENTACIONI I APLIKIMIT
Aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e mëposhtëm, online, dorazi ose nëpërmjet shërbimit postar, deri më datë 09.11.2026:
- Letër interesi, në të cilën aplikanti përshkruan arsyet e aplikimit, përvojën dhe aftësitë e tij profesionale, si dhe kontributin që synon të japë në veprimtarinë e Komisionit;
- Jetëshkrim (CV), i shoqëruar me fotografi personale;
- Dokument identifikimi personal (kopje e kartës së identitetit ose pasaportës);
- Fotokopje të Certifikatës së Njohjes, së mjeteve Retro në pronësi;
- Certifikata, dëshmi kualifikimi, vlerësime, mirënjohje ose dokumente të tjera që dëshmojnë përvojën dhe kontributin e aplikantit në fushën e mjeteve historike dhe në komunitetin e koleksionistëve;
- Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore ose Vërtetim të Gjendjes Gjyqësore, për verifikimin e gjendjes gjyqësore dhe përmbushjen e kushteve ligjore për ushtrimin e funksionit;
- Deklaratë personale, të nënshkruar, për vërtetësinë e dokumentacionit dhe të dhënave të paraqitura;
- Çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kritereve të mësipërme.
Mosparaqitja e dokumentacionit të detyrueshëm brenda afatit të përcaktuar, si dhe mosplotësimi i kritereve të përgjithshme të përcaktuara në këtë njoftim, përbëjnë shkak për skualifikimin e aplikantit nga procesi i përzgjedhjes.