European Traffic Education Contest 2019

You are here

European Traffic Education Contest 2019

Është mbyllur Konkursi Evropian “European Traffic Education Contest 2019” ku merrte pjesë edhe Shqipëria. Flamuri kuqezi u përfaqësua në këtë konkurs nga katër nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë. Mikea Bilushi, Sara Hudhri, Fabio Kola dhe Arelt Çeço të udhëhequr nga trajneri Arian Shehu bënë një paraqitje të mirë, pavarësisht renditjes. Në vend të parë u rendit Çekia me 594 pikë e ndjekur nga Sllovakia me 584 pikë dhe Serbia me 575 pikë. Në këtë fazë finale, ekipi shqiptar kishte edhe mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe DPSHTRR-së.

Por, pavarësisht renditjes, synimi i këtij Konkursi që zhvilloi edicionin e tij të 34-t synon edukimin e fëmijëve për sigurinë rrugore në mënyrë që të reduktohen sa më shumë aksidentet fatale. Në këtë konkurs morën pjesë 22 shtete të përfaqësuara nga katër konkurrentë, dy djem dhe dy vajza të moshës 10-12 vjeç.

Gjatë ceremonisë zyrtare përpara nisjes së eventit, presidenti i FIA-s përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe vuri theksin në rëndësinë e këtij konkursi për sa i përket edukimit të brezave të ardhshëm për sigurinë rrugore.

Gjithashtu, edhe FIA Region I si organizatore kryesore e këtij konkursi, në faqen e në “Twitter” shkruan: “Pavarësisht gjithçkaje, çdo fëmijë pjesëmarrës në konkurs është fitues. Urime, ju meritoni një medalje”.

Gjatë aktivitetit, u lançua edhe fushata më e re e FIA-s në lidhje me sigurinë rrugore, “Mjaftojnë vetëm 2 sekonda”. Video dhe postera të ndryshëm në lidhje me këtë fushatë u shfaqën gjatë konkursit.