Marrëveshje bashkëpunimi midis DPSHTRR dhe Policisë së Shtetit! Për rrugë më të sigurta!
Sot është një ditë e shënuar për dy shërbimet tona, Automotorizimin Shqiptar dhe në krah tonë, Policinë e Shtetit. Trupa e Policisë Rrugore më në brendi me ekipin e Shërbimeve të Transportit Rrugor, por edhe struktura e posaçme e Task-Forcës së Transportit Rrugor dhe një komunitet i gjerë nga sektorët e Sigurisë Rrugore, Edukimit dhe Autoshkollave, Transportit Publik të Udhëtarëve, Transportit të Mallrave, botës Retro, Autoserviseve, Automotivit të importit e të shitjes së mjeteve rrugore, Kontrollit Teknik (Kolaudimit), projektit fantastik të Automotoparkut të parë shqiptar (së afërmi në Elbasan) së bashku me një rrjet kapilar drejtorish rajonale e skuadrash vendore dhe një rrjet të gjerë partnerësh brenda e jashtë vendit, ekspertë, shoqata e bashkëpunëtorë, janë sot në momentin më të mirë historikisht si sinergji, vëmendje, gjithëpërfshirje e frymë të re të institucioneve tona, modernizim, investime e rezultate konkrete!
Marrëveshja Zyrtare që nënshkruajmë sot, mes DPSHTRR dhe DPPSH, është mishërim i vullnetit tonë, i vizionit dhe angazhimit reciprok por edhe interes publik parësor për progres edhe më të qëndrueshëm në punën dhe projektet dypalëshe, në shërbim direkt të qytetarit dhe subjekteve, të cilësisë së jetës dhe rritjes së sigurisë publike, të mirëadminsitrimit të burimeve dhe potencialeve njerëzore e financiare, të sinkronizimit të ekipeve dhe logjistikës sonë në funksion të këtyre drejtimeve kryesore:
- Investim në një mentalitet të ri, ndërveprim, trajnime, mbështetje logjistike dhe shkëmbim eksperiencash;
- Kontrolle të përbashkëta në terren, goditje ndaj paligjshmërisë absolute dhe ndaj çdo abuzimi;
- Shkëmbim informacioni në kohë reale, në mënyrë telematike, nëpërmjet web shërbimeve të ngritura në funksion të sistemeve respektive për lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarit dhe operimin transparent;
- Edukim dhe formim mbi trafikun rrugor, zhvillimin e aktiviteteve mësimore për sigurinë rrugore;
- Praktika bashkëkohore, miqësore me qytetarin dhe subjektet, këshillim dhe informim publik intensiv.
Në dekadën e Sigurisë Rrugore, Plani Global 2021-2030, mbështetur nga Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetit dhe nga FIA, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, synohet ulja e fataliteteve të aksidenteve rrugore me 50% deri në vitin 2030. Gjithashtu, moto e Emisarit të Sigurisë Rrugore pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Jean Todt, për ta bërë Sistemin e Transportit të Sigurt, të Përballueshëm, të Qëndrueshëm dhe të Aksesueshëm për të gjithë, na frymëzojnë dhe na vënë përpara përgjegjësive dhe sfidave edhe më të forta për t'u përkushtuar në përmbushjen e një vizioni global, që nuk ka se si të arrihet pa një angazhim të menjëhershëm, të përbashkët dhe konkret!