Lajm i mirë për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Gjermani

You are here

Lajm i mirë për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Gjermani!

Ditën e sotme në Tiranë, është nënshkruar marrëveshja e përbashkët për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit shqiptare të mjeteve. Marrëveshja e nënshkruar midis Sekretarit Parlamentar të Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, z. Oliver Luksic, MdB, dhe Ministres për Energjinë dhe Infrastrukturën, znj. Belinda Balluku, i mundëson të gjithë bashkëkombasit shqiptarë të konvertojnë  lejen e drejtimit, për të njëjtën kategori që ata disponojnë në lejen e drejtimit përkatëse shqiptare, duke i përjashtuar nga ripërsëritja e testit të teorisë dhe praktikës në shtetin gjerman dhe duke i lehtësuar në uljen e shpenzimeve dhe në kursimin e kohës për pajisjen me leje drejtimi. 

Përfitojnë nga nënshkrimi i kësaj Marrëveshje:
Titullarët e një lejeje drejtimi të vlefshme të kategorive A1 (përjashtuar makinat bujqësore dhe komplekset e automjeteve bujqësore), A2, A, B (përjashtuar makinat bujqësore dhe makinat teknologjike), BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, me formatin e ri në fuqi që prej datës 24.01.2017, mund ta konvertojnë lejen e vlefshme shqiptare të drejtimit në një leje drejtimi gjermane të kategorive A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, në çdo kohë pas mbërritjes së tyre në Republikën Federale të Gjermanisë pa qenë nevoja e dhënies së provimit teorik dhe praktik të lejes së drejtimit apo t’i nënshtrohen testit të shikimit, nëse e kanë apo do të kenë rezidencën e tyre zakonshme në Republikën Federale të Gjermanisë për të paktën 185 ditë në vit.

Titullarët e një leje drejtimi të vlefshme të kategorisë AM, të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, me formatin e ri në fuqi që prej datës 24.01.2017, mund ta konvertojnë lejen e vlefshme shqiptare të drejtimit, të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë në një leje drejtimi gjermane të kategorisë AM në çdo kohë pas mbërritjes së tyre në Republikën Federale të Gjermanisë, nëse e kanë apo do të kenë rezidencën e tyre zakonshme në Republikën Federale të Gjermanisë për të paktën 185 ditë në vit,  pa qenë nevoja e dhënies së provimit teorik.
Të gjithë titullarët e një leje drejtimi të vlefshme, të modeleve të kartonit të lëshuar përpara datës 24.01.2017 duhet ta rinovojnë kartonin e tyre me modelin aktual dhe të vijojnë aplikimin për konvertimin e leje drejtimit në Republikën Federale të Gjermanisë, me të njëjtat klauzola përfitimi si të dy kategorive të sipërpërmendura. 

Nëse në momentin e lëshimit të lejes së drejtimit shqiptare mbajtësi ka pasur vendbanimin e tij të zakonshëm në Gjermani, kjo leje drejtimi nuk konvertohet.
Ato leje drejtimi të cilat janë rezultat i një konvertimi të mëparshëm nga një shtet i tretë, nuk njihen për konvertim. 
Me dorëzimin e lejes së drejtimit të tij ose të saj të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe paraqitjen e dokumenteve të identifikimit të kërkuara nga autoritetet gjermane, ai ose ajo do të marrë një leje drejtimi gjermane vetëm pasi të ketë paguar tarifat dhe shpenzimet e përcaktuara ligjërisht.

DPSHTRR ka nisur menjëherë punën me Automotorizimin Gjerman (KBA) për zbatimin e marrëveshjes, sipas aplikimeve që vijnë nga gjithë Landet (rajonet) e Republikës Federale Gjermane!  
Për më shumë sqarime, përgjigje për pyetje, info e detaje: www.dpshtrr.gov.al
Nënshkrimi i marrëveshjes vjen si një akt vlerësimi nga autoritetet gjermane për transformimin e shërbimeve të transportit rrugor në Shqipëri dhe reformave të vazhdueshme të ndërmarra duke certifikuar standardin e arritur në përputhje me standardet e BE-së.
Një pjesë e reformave të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që manaxhon sektorin e lejeve së drejtimit në Shqipëri, janë: 

  • Modeli dhe prodhimi i lejes së drejtimit shqiptare me elementë të lartë sigurie;
  • Përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve nëpërmjet digjitalizimit;
  • Modernizimi dhe monitorimi i proceseve të testimit të aplikantëve;
  • Infrastrukturë e përmirësuar fizike e Automotorizimit Shqiptar në rang vendi;
  • Hartimi i Manualit të ri Zyrtar për Përgatitjen Teorike për leje drejtimi;
  • Kualifikimi i instruktorëve të autoshkollave dhe specialistëve të DPSHTRR.

Të gjitha këto masa në tërësi kanë ndikuar në rritjen e besueshmërisë së lejes së drejtimit shqiptare, në uljen e aksidenteve rrugore dhe përmirësimin e sjelljes dhe mënyrës se drejtimit të mjetit nga drejtuesit e mjeteve rrugore.
Dhe rezultatet janë reflektuar në mënyrë të qartë në realitetin e përditshëm, me uljen e numrit të aksidenteve në vend. 
Në këtë mënyrë, Gjermania i shtohet listës së shteteve me të cilat Shqipëria ka lidhur marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjelltë dhe konvertimin e lejeve të drejtimit si: Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Belgjika, Austria, Rumania, Çekia, Sllovenia, Polonia, e njohin dhe e konvertojnë lejen e drejtimit shqiptar pa marrëveshje. 
Në proces janë marrëveshjet me: Spanjën, Turqinë, Bosnjë & Hercegovinën dhe Arabinë Saudite.
Gjatë harkut kohor 2019 – 2021 më shumë se 15 mijë shtetas shqiptarë kanë konvertuar lejet e drejtimit në shtete ku ata jetojnë dhe punojnë falë këtyre marrëveshjeve të lidhura.

Video: 

Nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e patentave në Gjermani!