Kursantët para dhe pas testimit të Teorisë në DRSHTRR Tiranë!

Data e lajmit: 05 Feb 2022

   Kursantët, aplikantë për Leje Drejtimi para dhe pas testimit të Teorisë në DRSHTRR Tiranë, ku zhvillohen rreth 35% të testimeve në rang vendi! Vizitë pa regji, pa doreza! Shumica të qeshur, kalues, edhe që me të parën, por kemi ende problematika. Manuali i Teorisë ku bazohet mësimdhënia nuk është i unifikuar e ideal, platformat ushtrimore online janë lloje-lloje, ka ende tek-tuk fjali të Testit të Teorisë që duan përsosje kuptimore e logjike apo zëvendësim me nocione më popullore, ka ende mosnjohje nga qytetarët të të drejtave të tyre (apelimi i nje Testi të humbur, kundërshtimi, rigjykimi i një Testi), ka mosinformim mbi webin zyrtar të DPSHTRR e mbi literaturën zyrtare, ka edhe zbatim jo të saktë të risive nga aktet nënligjore nga shërbimi (vazhdimisht subjekt rishikimi)! Ka jo sa duhet komunikim e afrim të drejtorive tona rajonale me kursantët, sikurse edhe institucionalisht me Autoshkollat, ka nevojë për shumë më tepër kimi pozitive mes palëve! E siç dihet, çdo e çarë a boshllëk nxit gramin e keq, subjektivitetin, sekserët, çarqet, ngrënien e hakut, ndaj duhet reaguar! Sot dola me shumë shënime e ide nga bashkëbisedimet me kandidatët për drejtues mjeti, çka do të zgjerohet me dëgjesat, anketimet e takimet që kemi nisur me sektorin e Autoshkollave, në kuadër të përditësimit të Udhëzimit mbi Leje Drejtimin nga MIE por edhe në funksion të përmirësimit të të gjithë shërbimeve, si ent, mbi Leje Drejtimin!

Video: 

Vizitë para dhe pas testimit të Teorisë në DRSHTRR Tiranë!