DPSHTRR: Kamera në çdo makinë testimi të praktikës, poligone të posaçme të monitoruara

You are here

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Z. Blendi Gonxhja, në një prononcim për Report Tv mbi Targat, Patentat, Risitë dhe Masat për 2020 - Viti i Sigurisë Rrugore! "Ka njerëz dhe komisionerë që kanë sjellje negative. Por detyra jonë është që testi të jetë objektiv dhe i saktë. Të mos i hahet askujt haku për personat që mësojnë e përgatiten për testin. Kemi hequr 1,200 pyetje që ishin një çark për të futur dhe ata që mësonin në kurth dhe kemi korrigjuar rreth 1,800 pyetje të tjera duke rregulluar rreth 70% të pyetjeve të testit të teorisë.

Është mundësuar simulimi i testit zyrtar online për të gjithë qytetarët pa pagesë në faqen zyrtare të DPSHTRR. Ndërkohë, ka nisur puna për implementimin fizik të sistemit interaktiv të monitorimit ku do lidhen gjithë sportelet, sallat e testimeve, mjetet e autoshkollave gjatë testit të praktikës në qarkullim, ambientet administratë e oborre, kontrolli fizik, poligonet e testimit të manovrave të parkimit, arkivat, sistemet e radhës, etj. çka do t’a ngrejnë shërbimin, sigurinë e testimeve, kredibilitetin ndaj çdo afere/abuzimi në një nivel të panjohur më parë. Për të rritur standardin dhe monitorimin për testimin praktik të kandidatëve, DPSHTRR ka planifikuar investime në poligonet e testimit praktik të kandidatëve për t’u pajisur me lejedrejtimi në 8 qytete kryesore të Shqipërisë për vitin 2020”, tha Z. Gonxhja. Ndërkohë për targat e reja, Z. Gonxhja është shprehur se kanë 15 elementë sigurie dhe që nuk mund të falsifikohen.

“Targat e reja tashmë do të aplikohen për të gjitha regjistrimet e reja të mjete apo ndërrime që lidhen me humbjen, vjedhjen apo dëmtimin e targave. Targat përmbajnë 15 elementë sigurie, kanë një barkod unik progresiv që reflektohet në sistem. Është e pamundur të falsifikohet. Gojëdhana e targave të falsifikuara duhet të hiqet nga mendja. Targat tona të reja, janë tashmë më të mirat në rajon dhe në standardet e BE-së.”, tha Z.Gonxhja.

Për sa i përket garave të shpejtësisë që shpesh herë janë kthyer në një problem dhe burim aksidentesh për përdoruesit e tjerë të rrugës, Z.Gonxhja është shprehur se edhe kjo gjë po adresohet nga DPSHTRR. Sipas tij, shumë shpejt në Shqipëri do të ketë për herë të parë një Auto Moto Park për të gjithë të apasionuarit pas garave si për përdorim sportiv, ashtu edhe për testime specifike. “Një nga risitë është që adrenalina e talenteve të timonit të shkarkohet në kushte të sigurta dhe jo në rrugë duke rrezikuar veten dhe të tjerët”, u shpreh ai. www.dpshtrr.gov.al

Video: 

DPSHTRR: Kamera në çdo makinë testimi të praktikës, poligone të posaçme të monitoruara!