eTransport/ Platforma Risi në Proces të Përparuar Implementimi për Transportin Publik Ndërqytetës

Data e lajmit: 05 Dec 2022

E nisëm eTransport në pranverën e këtij viti me Fazën 1, digjitalizimin tërësor të procesit të licensimit dhe certifikimit për sektorin e transportit ndërqytetës, dhënien fund të praktikave subjektive e të shkuarës korruptive që trashëgonim, duke kaluar çdo veprim online, në transparencë të padëgjuar më parë.

Pas investimit për databazën elektronike, sistemin operativ dhe pajisjet IT, që shërbejnë për procesimin e aplikimeve online dhe gjenerimin e dokumentave në kohë reale përmes moduleve për shoqëritë e transportit, drejtuesit e mjeteve dhe flotat, në ndërveprim me sistemet e treta dhe me ofrimin e 18 shërbimeve në platformën qeveritare e-Albania, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor merr besimin e Qeverisë Shqiptare për të vijuar me Fazën 2 të eTransport - biletimi elektronik  në mbështetje të rrjetit të linjave ndërqytetëse dhe të udhëtarëve.

Për herë të parë në Shqipëri, kjo platformë risi në proces të përparuar implementimi, do të menaxhojë e monitorojë elektronikisht fluksin dhe aksesin në transportin publik ndërqytetës.

Numërimi mbrapsht drejt biletës elektronike, zbardhjes së aktivitetit në funksion të anti-informalitetit, transparencës dhe politikave mbështetëse e sociale për udhëtarin e linjave publike ndërqytetëse, si edhe për injektim për modernizim flote e fuqizim të operatorëve, ka nisur.

Për prezantimin e ecurisë së këtij projekti kompleks, që synojmë ta përmbyllim brenda vitit 2023 së bashku me një sërë angazhimesh me bashki e institucione partnere, Ju ftojmë të ndiqni takimin e dt. 2 Dhjetor, ora 10:00 - 12:00, në faqen e Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Facebook, direkt, nga Pallati i Kongreseve.

 Ndiqni videon ilustruese të webit: https://www.youtube.com/watch?v=o1TRae7ecyM