Karta e Tahografit reduktim tarife me 60%

Data e lajmit: 09 Jun 2022

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor që nga data 1 qershor, ka filluar lëshimin e kartave të Tahografit, me një zbritje në tarifë prej 60%, e cila nuk mban më çmimin e parë 100 euro, por është reduktuar në 40 euro. 

Numri i rreth 5,000 përfituesve në vit, pritet të rritet me zgjerimin e përdorimit dhe lëvizjes. Ky lajm vlen edhe për të gjithë transportuesit nga Kosova. 

Një tjetër lajm i mirë është edhe ulja e kohës së dorëzimit nga mbi 30 ditë në 10 ditë, kjo si pasojë e rikonceptimit të shërbimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me CETIS.

Përfitimi direkt i transportuesve rrugorë nga ulja drastike e tarifës dhe nga rritja e ditëve të punës (ulen ditët e pritjes pa kartë, pra pa punë) është rreth 2 milionë euro në vit, ulje e cila vjen falë fuqizimit të Automotorizimit Shqiptar. Diferenca e kostos do të përballohet nga të ardhurat e entit që vijnë nga shërbimet e tjera.

Vizioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor është të ulë kostot për sektorët kryesor të transportit rrugor, të cilët janë shumë të ekspozuar me krizën globale të çmimeve që po vjen si pasojë nga faza e zgjatur e post pandemisë të Covid-19.

Video: 

Kartat e Tahografit me 60% ulje tarife!