#PasioniNukNjehGjini
Pasionet nuk njohin gjini! Dëshirat mbi katër rrota treguar nga koleksionistja Rejna Kulla
Është opinion i shpërndarë gjerësisht që makinat dhe motorët janë punë e pasion burrash. Shumë gra e vajza shqiptare, na provojnë se nuk ka definim më të gabuar se të mendosh e besosh që mjetet me motor, janë prerogativë ekskluzive mashkullore. Historia e automobilit nuk u shkrua vetëm nga burrat, por edhe nga shumë gra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme, por shpesh pak të njohura. Hapat e zhvillimet historike iniciuara prej tyre, vazhdojnë këtu mes nesh, ku në krye të proceseve dhe shërbimeve të ofruara nga DPSHTRR, fuqia menaxhuese, kontribuese, krijuese e novatore është shumë dhe shpesh grua.
Përmes mesazheve nga personazhe specifikë, do të rrëfejmë se si pasioni dhe puna nuk definohen nga gjinia, dhe forca e dëshirës shpërfill çdo konstrukt shoqëror.
Një ditë përpara 8 Marsit, mesazhet nisin aty ku mblidhet historia, midis shumë koleksionistësh të mjeteve historike spikat një njohëse e shofere e shkëlqyer mjetesh, ajo quhet Rejna Kulla. Gratë janë, si forcë lëvizëse e fuqishme ashtu edhe ruajtëse. Rejna Kulla, njihet në Tiranë përmes shumë historish, si arkivuese kujtimesh e dijesh enciklopedike mbi mjetet, si shofere e shkëlqyer që në moshë shumë të re, koleksioniste artefaktesh historike e njohëse e etur mjetesh, ashtu edhe prej energjisë së pashpjegueshme që shpreh, sidomos kur flitet për elemente të automobilit. Me një sfond kulturor të pakufi, dëshira që nuk ndalen përpara bindjeve shoqërore mbi çfarë është apo nuk është femërore, dhe një bashkëudhëtar e partner që e ushqen dhe mbështet pasionin e dëshirat e saj, Rejna nuk është tërhequr asnjëherë. Ajo sot zotëron një koleksion elementesh historike të mjeteve me motor, që vazhdon të pasurojë e rritet.
Shëtit me një Renault 4 të 1982, gjithnjë krahas Renault-it të partnerit të saj. Gjykimi që Rejna shpreh lidhur me një për një automjet apo mekanikën e tij, nuk ndodh të mos merret në konsideratë, dhe për këtë ajo është mirënjohëse dhe e kthjellët përpara faktit se familja, babai e më pas bashkëshorti, kanë patur rol të rëndësishëm në thyerjen e stereotipeve të kohës lidhur me interesin e saj për mjetet. Rejna na tregon eksperienca e ngjarje të jetës së saj, që veç kënaqësisë përballë rrëfimeve të saj, na tregojnë se si gratë dhe vajzat, mund t’i njohin dhe duan mjetet po aq sa burrat apo edhe më tepër.
Po e kujtojmë 8 marsin, duke kuriozuar mes këtyre eksperiencave dhe duke treguar se rrugëtimi i vokacioneve e intuitave femërore në fushën e motorëve është i pandalur, makinat janë siç i shohim sot edhe prej tyre, rezultat përfundimtar i një procesi të gjatë përbërë prej shpikjesh, arritjesh sportive dhe shembujsh të emancipimit në historinë e automjeteve! Ndërsa puna dhe pasioni për mjetet mbeten elemente të pandashëm, DPSHTRR kujton ditën e gruas, përmes disa zërave të fortë dhe të admirueshëm femërorë në fushën e automotorizimit! Rejna na shtyn të mos i kushtëzojmë zgjedhjet tona, të mos ndalemi përpara asgjëje për të ushqyer pasionet apo avancuar në punët tona, çfarëdolloj ngjyrimi dhe orientimi të kenë ato.