Respekt Përjetë Akteve Heroike të Lirisë

You are here

Data  2 Korrik 1990, dita kur në Tiranë u thye muri i regjimit, kur shkelëm tokën e lirë, si komb.

Historia shkruhet nga njerëzit dhe përjetësohet nga kujtesa, që duhet mbajtur e gjallë.

Me kënaqësi e krenari e festojmë datën e sotme me pullën "Retro" që i kemi dedikuar aktit heroik të Ylli Bodinakut, me Kamionin Škoda 701 MT, të ngarkuar me gruan, dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dy muajshe, me shokë, miq, me plot 36 vetë, fotografuar në momentin menjëherë pas hyrjes në Ambasadën Gjermane, duke i hapur kalimin qindra shqiptarëve që atë ditë guxuan dhe fituan Lirinë. 

Kjo pullë, është pjesë e serisë me 10 pulla me mjete historike nga Automotorizimi Shqiptar që del së shpejti në qarkullim, kuruar nga artisti Ervin Berxolli dhe miratuar e zyrtarizuar nga Posta Shqiptare

Në kujtimet e Ylli Bodinakut:

“Atë mbrëmje, në Bon u raportua që në ambasadën gjermane ishin futur menjëherë 86 vetë. Punonjësit e ambasadës na mblodhën dhe na lexuan një faks që kishte dërguar Gensche-ri. Shoferi bashkë me të tjerët janë heronj të demokracisë shqiptare. Ata shembën murin e Berlinit të Shqipërisë. Kështu thoshte fjalë për fjalë Genscher-i në faksin e tij,” sjell ai ndërmend në një intervistë për Deutsche Welle.

“Murit nuk i rashë aksidentalisht. As nuk më shtyu dikush. Ishte një urrejtje e brendshme. Në moshën 27 vjeçare u dënova me 10 vjet burg për politikë. Isha i vendosur t'i bija murit. E dija se ecja drejt vdekjes. Muri ishte i lartë dhe i trashë. Shanset ishin shumë të pakta për të shpëtuar.”

Për ta shenjuar këtë moment si një lëvizje drejt lirisë së munguar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugorr  e ka bërë pjesë të koleksionit të pullave RETRO, kamionin historik si simbol të rebelimit ndaj sistemit totalitar shumëvjeçar.


Certifikuar sipas Standardit ISO 9001 nga