Duke filluar nga data 3 Tetor 2022 e në vazhdim, formulimi i testeve për personat që marrin CAP për herë të parë, do të bëhet me fjalitë e rishikuara nga specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transporti Rrugor, për një proces sa më objektiv, korrekt dhe të thjeshtë.
Ky rishikim është i pari pas vitit 2016, vit ky kur ka filluar certifikimi i drejtuesve profesionistë të mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, kusht i Direktivave të Bashkimit Europian.
Në pyetësorin e rishikuar janë pasqyruar ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me transportin e mallrave dhe udhëtarëve që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe si dhe janë bërë përmirësime në formulimin e fjalive. Janë hequr nga pyetësori shumë fjali që janë të ngjashme me njëra tjetrën ose mund të linin vend për keqkuptime dhe mund të shkaktonin ngatërresa në përgjigjet e tyre.
Janë ndarë pyetësorët në dy lloje: “Pyetësori CAP për Mallra” dhe “Pyetësori CAP për Udhëtarë”, pasi deri tani kjo ndarje bëhej vetëm nga sistemi i testimit në momentin e formulimit të testit por që të pandara mbingarkonin e krijonin konfuzion tek kandidati për të kuptuar se cilat pyetje mund të bien në testin CAP për Mallra dhe cilat në testin CAP për Udhëtarë.
Kjo ndarje ju mundëson drejtuesve të mjeteve që kanë fituar lejedrejtimi të kategorive D1 ose D, sipas akteve të reja lehtësuese në fuqi - nismë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transporti Rrugor, direkt nga kategoria B, që të vijojnë përgatitjen për CAP Udhëtarësh pa qenë e nevojshme të ketë njohuri mbi transportin e mallrave pasi deri në Qershor të vitit 2022 lejedrejtimi i kategorive D1 dhe D nuk mund të merrej nga drejtuesit e mjeteve që nuk ishin pajisur me lejedrejtimi të kategorisë C!
Synojmë rritjen e besimit tek mësimi, eliminimin e çdo hapësire që krijon terren korruptiv!
Nga 3.370 fjali të pyetësorit CAP Udhëtar, u hoqën 980 fjali, u ndryshuan 406 fjali dhe mbeten 2,390 fjali! Nga Pyetësori CAP Mallra që kishte 3,370 fjali, u hoqën 560 fjali, u ndryshuan 553 fjali dhe mbeten 2,810 fjali! Pra kemi rishikuar me 38% Pyetësorët CAP duke eliminuar 24% të fjalive dhe ndryshuar 14% të fjalive.
Çdo përditësim do të pasqyrohet zyrtarisht online në webin www.dpshtrr.gov.al dhe në aplikacionet e simulimit, si edhe do t’i shpërndahet Autoshkollave.