Së shpejti platforma e re e-Transport!

You are here

   

Fjala LICENSIM fatkeqësisht na kujton edhe prapësi, sekserë, muhabete te kafja e institucionit, rryshfete, stres për atë që do aplikojë, padrejtësi, vonesa, angari, lojra në kurriz të konkurrencë. Ndaj DPSHTRR, pavarësisht vullnetit, suksesit në thjeshtim procedurash e 0 ankesave për vitet 2019-21 mbi praktikat e administruara nga ky ent, ka investuar për një qasje krejt të re me sektorin e certifikim/licensimit të linjave ndërqytetëse, përmes një sistemi të ri operativ e informatik si Platforma Kombëtare e-Transport, që brenda muajit Shkurt del me 8 shërbimet e para online në e-Albania, në ndihmë të operatorëve të sektorit!
Punojmë prej dy vitesh për rikonceptimin e plotë të të gjithë administrimit të sektorit të transportit publik rrugor të udhëtarëve me rrjetin e linjave ndërqytetëse, për të zgjidhur e shëruar me transparencë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qendrueshme plagët shumëvjeçare të këtij sektori në lëngim, për t’i dhënë fund diskriminimit, allishverisheve, arrnimeve, muzës politike e abuzimit! Me qëllim kryesor formalizimin e tregut, uljen e kostove për operatorët, maksimizimin e rrjetit, mbështetjen për subjektet, mundësimin e incentivave dhe politikave ndihmëse, sigurinë e cilësinë për pasagjerin, fuqizimin e transfertave ndërqytetëse me transport publik rrugor dhe aksesin optimal të qytetarit/turistit tek bileta! (Lancimi i e-Transport për publikun do të kryhet me kompletimin e fazës së biletimit elektronik dhe pas popullimit të sistemit me tërë prapavijën financiare të integruar me subjektet!)
Hapi kryesor është eliminimi i rolit të njeriut, zerimi i subjektivitetit, shkurtimi drastik i burokracive dhe humbjes së kohës, pra #MëShpejtMëLehtëMëLirë
  • 8 shërbimet e reja online të Platformës e-Transport, si më poshtë:
1. Licencimi në linjat e transportit ndërqytetës.
2. Kërkesë për shtim/ndryshim/heqje orari në linjat e transportit ndërqytetës.
3. Certifikim mjeti në linjat e transportit ndërqytetës.
4. Dublikatë Licence/Certifikate, për transportin ndërqytetës.
5. Autorizim stacion qëndrimi për linjat e transportit ndërqytetës.
6. Kërkesë për shtim/ndryshim/heqje stacioni në linjat e transportit ndërqytetës.
7. Kërkesë per miratim linje të transportit ndërqytetës.
8. Kërkesë për akses në e-Transport, si operator transporti ndërqytetës.
DPSHTRR ka punuar me paratrajnimin e operatorëve (pjesë e kontratës për e-Transportin), me ofrimin e akseseve në sistem, pas një procesi informues e dakordësimi, sikurse vijon puna për aktet rregullatore dhe nënligjore për biletimin, fiskalizimin dhe indeksimin me mbështetjen e Institutit të Transportit, dhe të MIE e të MFE!
Tags: 

"DPSHTRR është e certifikuar sipas standardit ISO 9001:2015 për Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë nga TÜV Rheinland.

Për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatës klikoni këtu / skanoni kodin QR.”